Perëndimi duhet të ndërmarrë hapa konkret që të evitojë çdo konflikt të mundshëm të cilin Serbia mund ta provokojë në Kosovë, thotë profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi.
Sipas tij, nuk mund të ketë luftë derisa ekzistojnë trupat e KFOR-it në Kosovë por shton se problemet e hapura duhet të mbyllen meqë prodhojnë konflikte të cilat pastaj thotë se mund të shndërrohen në luftë.
Deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë, Arifi e lexon si mesazh për perëndimin që të ndërmarrë hapa dhe t’i tërheq vërejtjen Serbisë lidhur me provokimet e kësaj të fundit në veri të Kosovës.
“Nuk besoj që do të kemi luftë sepse KFOR-i është këtu, derisa KFOR-i është këtu situata mund të organizohet e tillë, të mirëmbahet ajo paqja e brishtë. Por në aspektin ndërkombëtar kjo tingëllon shumë e vrazhdë, më shumë në aspektin ndërkombëtar por në një farë mënyre duhet të kuptohet në disa dimensione; njëfarë mënyre është një porosi shumë e qartë e dërguar nga zotëri Kurti në kuptimin e asaj që perëndimi duhet ta merr një vendim politik për Kosovën dhe se me Serbinë, nuk mundemi të shtiremi kinse kemi paqe, një paqe mes fqinjëve super të mirë, ky është realiteti, e kemi një konflikt, nuk po themi luftë por një konflikt shumë i ashpër i cili edhe mund të shndërrohet në një luftë të nxehtë, prandaj mendoj që kryeministri Kurti ka dashur të dërgojë një mesazh te bota perëndimore sidomos në situatën ku gjendet sot Rusia dhe Ukraina, që të ndërmarrin hapa që të evitojnë çdo konflikt të mundshëm në të ardhmen e afërt”, thotë Arifi.
Sipas tij, qëllimi është që të ngritet niveli i vetëdijësimit në perëndim për problemet e hapura Kosovë-Serbi, marrë parasysh situatën që mund të krijohet nga 1 shtatori në veri të vendit kur pritet të fillojë zbatimi i masave për reciprocitet.
“Aty ndoshta ka qenë edhe porosia kryesore e zotit Kurti, që perëndimi më 1 shtator të përgatitet që t’i marrë të gjitha masat, të ja tërheq vërejtjen edhe Serbisë por edhe oponentëve atje, kriminelë apo terroristë që po operojnë në veri të Kosovës të sponsorizuar po dihet nga cili shtet”, shton ai.
Në intervistën e dhënë për një gazetë italiane, Kurti i pyetur sa i lartë është rreziku për një konflikt të ri, ka deklaruar që pas pushtimit të Ukrainës nga Rusa situata ka ndërruar dhe ekziston një rrezik i lartë edhe për Kosovën.
“Nuk do të thosha shumë i lartë, ngase këtu kemi kontingjentin e NATO-s, por i lartë është sigurisht. Në fund të fundit jemi një demokraci që jemi në kufi me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës gjasat kanë qenë të pakta, tani situata ka ndërruar. Episodi i parë, rrjedhojë e idesë fashiste të pansllavizmit që ka Kremlini ishte Ukraina. Nëse do të ketë një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë gjasat që një luftë e tretë të ngjajë në Ballkanin perëndimor, e në Kosovë veçanërisht, janë shumë të larta”, ka thënë Kurti.
Ndërsa sipas profesorit të Shkencave Politike, Dritëro Arifit, situata është e ndjeshme në veriun e Kosovës duke theksuar një luftë hibride të Serbisë e mbështetur nga Rusia.
“Gjithmonë Kosova dhe Serbia janë në një konflikt të papërfunduar që 23 vite, vet prezenca e KFOR-it na e prezanton komplet fragjilitetin e krejt situatës. Pra jemi në një konflikt të ftohtë, luftë nuk kisha mundur ta potencoja se është definicion shumë i vrazhdë për momentin por duhet të kemi kujdes me fjalorin sesi sillemi, por situata është fragjile, ndoshta kështu është dashur kryeministri ta potencojë. Sepse veriu i Kosovës, e kemi atje një luftë hibride, jo luftë klasike sepse edhe kjo ka dallim shumë, luftë hibride nënkupton sabotim, sulme terrotiste, dezinformata e 1 milion probleme të tjera që mund t’i bëjë popullata civile atje në veri të Kosovës, të krijojë një kaos”, thotë Arifi.
Reagime të shumta ka pasur në Kosovë ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti, në mesin tyre edhe drejtues të partive opozitare.
Lumir Abdixhiku i LDK-së ka thënë se Kurti po e dëshiron krizën dhe se me deklaratat për luftë ka arritur t’iu bëjë konkurrencë lajmeve të mira që Kosova i ka prodhuar tash e sa kohë.
“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë.
Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë. Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshrarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndërsa nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se nuk do të ketë luftë dhe se NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës.
“Nuk ka me pasë luftë në Kosovë. Mos ndjellni frikë e panikë. NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës. Serbia e di shumë mirë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO. E ka provu. Ka pasë luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasë mundësinë me luftu atëherë. Nderkohë, Serbisë sot më së shumti i konvenon status quo, dhe mundësisht me folë për stikersa e barikada. Lufta konvencionale ka përfunduar. Tash betejat janë të një natyre tjetër”, ka thënë ajo.