Kosova në mediat botërore, si garuan trazirat në Veri me ngjarjet kulturore në Prishtinë

Prishtina këto ditë u bë nikoqire e disa ngjarjeve kulturore, të cilat, përveç që sollën vizitorë të huaj, e kthyen vendin edhe në vëmendjen e shtypit të huaj. Por, tensionet e ngritura në veri të Kosovës iu bënë konkurrencë këtyre lajmeve. Në dritën e luftës në Ukrainë dhe frikës për prishje të qetësisë edhe në një vend tjetër të Europës, mediat e mëdha ndërkombëtare këtë herë shkruan më zellshëm për një ngjarje që s’është e pazakontë për kosovarët.

Kosova u gëzua që ishte vendi i radhës që do të priste bienalen nomade europiane, e cila do të grumbullonte njerëzit e artit vendor dhe ndërkombëtar që ekspozuan krijimtarinë para admiruesve të tyre. Për kontribut në ngritje imazhi u mirëprit edhe mbajtja e Sunny Hill Festival me yllin e muzikës, Dua Lipa, si kryefjala e tij. Pritjet ishin reale meqë shumë ballina të mediave të huaja u zunë nga këto ngjarje. Megjithatë, shkrimi i emrit të Kosovës në një rresht me fjalët “tension” dhe “luftë” ia prishi humorin qytetarëve të Kosovës se si po prezantohet vendi i tyre në botë,