KQZ vazhdon t’i bindet Kurtit dhe Osmanit, e shtyn edhe një javë publikimin e rezultateve të peticionit në veri

As këtë javë nuk do të bëhet i ditur zyrtarisht rezultati i peticionit në katër komunat e veriut të Kosovës, në të cilat gjatë janarit të këtij viti u mblodhën nënshkrime me qëllim që të kërkohej largimi i kryetarëve shqiptarë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u ka thënë gazetarëve në fillim të mbledhjes së KQZ-së se ky institucion nuk ka përfunduar me verifikimin e nënshkrimeve, shkruan Demokracia.com.

“Ju njoftoj që në fund të javës tjetër, do ta trajtojmë atë çështje. Nuk jemi të gjithë në tërësi të gatshëm me të, por java tjetër do të jetë përfundimtare lidhur me peticion. Jo. Procesi nuk ka përfunduar. Pra, javën tjetër do të jemi në një takim të tillë dhe do ta trajtojmë”, ka thënë Radoniqi.

Janë bërë një muaj që kur në KQZ janë dorëzuar peticionet e nënshkruara në komunat veriore të Kosovës, por deri më tani KQZ nuk ka treguar nëse ka përfunduar me procesin e verifikimit të nënshkrimeve.

Të enjten në mbrëmje, mediat kanë publikuar lajmin duke u mbështetur në burime brenda KQZ-së se ky intitucion ka përfunduar verifikimin e nënshkrimeve të qytetarëve serbë në katër komunat veriore.

Siç është raportuar, nga verifikimi i bërë është arritur përqindja e kërkuar prej 20 për qind, gjë që i hap rrugë zhvillimit të fazës tjetër, organizimit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri.

Ndërkohë, Demokracia.com ka raportuar të njëjtën ditë, duke u mbështetur nga burime diplomatike, se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po e detyrojnë një institucion të pavarur kushtetues, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që ta mbajë të fshehur dhe të mos e publikojë rezultatin e verifikimit të nënshkrimeve në peticionin e organizuar në komunat veriore të Kosovës.