Rritja e rasteve, Zvicra shtrëngon masat kundër koronavirusit

Zvicra ka bërë obligative bartjen e maskave dhe ka ndaluar tubimet në masë, si masa të reja për të parandaluar rritjen e mëtejme të rasteve me koronavirus.

Qeveria zvicerane ka njoftuar se tubimet me më shumë se 15 persona në publik do të ndalohen nga e hëna dhe maskat duhet të barten në të gjitha zonat e mbyllura publike. Po ashtu maskat duhet të barten edhe në stacione treni, aeroporte, e stacione autobusi, në dyqane, kinema e kisha, raporton Reuters.

“Rritja e ndjeshme e rasteve pozitive në ditët e fundit është shqetësuese. Është e qartë në të gjitha grupmoshat dhe në të gjitha kantonet. Numri i rasteve të njerëzve që po kërkojnë trajtim është rritur po ashtu”, ka njoftuar Qeveria e shtetit me 8.6 milionë banorë.

Të premten Zvicra regjistroi ditën më të rëndë deri tash, me 3105 raste pozitive. Deri tash në këtë shtet janë regjistruar 74 mijë e 422 raste, ndërsa 1823 persona kanë humbur betejën me virusin.