Borrell pas takimit me ministrat e BE-së: Suksesi i dialogut, çelës për stabilitetin në Ballkan dhe BE

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë një konference për media, pas takimit me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, nder të tjera ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Borrell ka thënë se suksesi në dialogun Kosovë–Serbi është çelës për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në vet Bashkimin Evropian.

Ai ka ka thënë se emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar ministrat për ecurinë e dialogut, derisa ka shtuar se mbesin të përkushtuar të sjellë dialogun në një përfundim të suksesshëm.

“Dialogu Prishtinë-Beograd po vazhdon, Lajçaku e ka njoftuar Këshillin dhe ne mbetemi të përkushtuar për të sjellë dialogun në një përfundim të suksesshëm. I kërkojmë palëve të punojnë në frymë të mirëbesimit dhe bashkëpunimit e kompromisit. Suksesi i dialogut është çelës për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Këshilli ka ofruar përkrahjen e plotë në këtë aspekt. E përkrahje të fuqishme për punën e Lajçakut”, ka thënë Borrell.

Nga ana tjetër, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka mirëpritur rastin që t’i adresohet sot ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, transmeton lajmi.net.

Ai ka shtuar se diskutimi sot ka konfirmuar se dialogu qartë është i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

“E kam mirëpritur mundësinë t’i adresohem ministrave të Jashtëm të BE-së sot për dialogun Beograd – Prishtinë. I jam falënderues për interesimin e tyre të vërtetë dhe përkrahjen e fuqishme. Diskutimi sot ka konfirmuar se dialogu qartë është i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.