Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka thumbuar ish-kryeministrin Albin Kurti në fjalën e tij para ligjvënësve në interpelancën që po zhvillohet me kryeministrin Avdullah Hoti e kërkuar nga PDK për të pagjeturit.
Gashi tha se qeveria Hoti po përfaqëson dinjitetshëm vendin, për dallim nga ish-qeveria Kurti që përmende thika mbi harta e dëmtoi raportet me Amerikën.
“Na kujtohen të gjithëve kur thuhej se veç tapa e shampanjës ka mbetur të hapej dhe ish-kryeministri nuk shkoj në SHBA. Refuzonte dhe ndjellte panik dhe thoshte se nuk do të shkonte t’ia mbajë çantën presidentit Thaçi, të marrë përsipër hapjen e tapave të shampanjve, të shkoj dhe t’i aktivizoj thikat mbi torte, por e vërteta doli ndryshe, e vërteta është se kryeministri duhet t’i marrë detyrat e veta kushtetuese, kushdo qoftë ai ose ajo, dhe të përfaqësoj Republikën”, tha Gashi, shkruan Reporteri.net.
Ai e quajti Kurtin kryeministër të paguximshëm, kurse Hotin një kryeministër normal.
“Mungesa e guximit për t’i marrë detyrat kushtetuese ka pasoja politike dhe pasoja për Republikën, dhe këto nuk duhet t’i lejojmë të të ndodhin dhe prandaj ne u detyruam të bëjmë një mocion mosbesimi dhe qeveri të re dhe të heqim rrezikun e paralajmërimit të hapur nga SHBA-ja për mundësinë e tërheqjes së trupave në Kosovë, bllokimin e fondeve për Kosovën”, tha Gashi.
Ai shtoi se sot Kosova është në një situate tjetër, siç tha Gashi të paktën në një situatë normalizimi të brendshëm politik dhe situatë normale të përfaqësimit.
“Kryeministri aktual nuk është gjetja më e madhe e këtij vendi, por një kryeministër normal, i barabartë dhe përfaqësues, është ajo çka i duhet Kosovës. Nuk i duhet Kosovës një kryeministër apo qeveri e cila ndjell frikë në vend dhe e cila kultivon përqamje në arenën ndërkombëtare”, tha Gashi.