Kurti, gjatë një interviste për Associated Press, tha se në vend të kësaj Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë, ato që ai i quajti ide hegjemoniste të Beogradit.
Kryeministri kosovar tha se Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë.
Kurti tha se nëse ata e çlirojnë veten nga ideja se Kosova ende i takon Serbisë, “ata do të jenë më demokratikë, më evropianë”.
Javëve të fundit, të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri – të quajtur propozim evropian – që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011, por vetëm disa prej 33 marrëveshjeve të arritura janë zbatuar deri më tani.
Kurti tha se deri më tani negociatat janë “ideologji për zgjidhjen e problemit… çdo zgjidhje është bërë më e ndërlikuar, madje edhe më e pazbatueshme, dhe publiku humbi interesin”. Ai tha se propozimi evropian “është një kornizë dhe platformë e mirë për të ecur përpara…. gjë që na bën ne që të shpresojmë lidhur me prospektet për bisedimet e ardhshme dhe për një marrëveshje”.
Plani evropian – apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman – nuk është bërë publik.
SHBA-ja ka rritur presionin ndaj Prishtinës që të zbatojë marrëveshjet e arritura për Asociacionin më 2013 dhe 2015.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen.
Kurti tha se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij, por javën e kaluar ai shpalosi disa kushte për të, përfshirë edhe që Asociacioni të jetë pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve dhe të zbatohet pas njohjes reciproke.
Autoritetet në Kosovë kanë shprehur frikën se Asociacioni do të minonte shtetësinë e Kosovës.
Fuqitë perëndimore duhet të mësojnë nga shembulli i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, duke shprehur frikën se një asociacion do të krijonte një mini-shtet në Kosovë, tha Kurti, duke shtuar se Beogradi e ka përdorur çështjen e themelimit të Asociacionit si “armë kundër pavarësisë sonë”.
“Nëse ne prezantojmë në Ballkanin Perëndimor idenë e një asociacioni të komunave me bazë etnike, kjo do të jetë recetë për konflikte të reja”, tha Kurti.
Kurti tha se fuqitë perëndimore nuk duhet t’iu bëjnë presion shteteve më të vogla, sikurse Kosova, që janë demokratike. Problemet midis Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të vogla dhe të bezdisshme, por ata duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj çfarë po ndodh në rajon sepse “çdo zgjidhje e gabuar në Ballkan mund dhe do të përdoret edhe gjetkë”.
Kurti insistoi se njohja e ndërsjellë duhet të jetë në qendër të çdo negociate, ide që refuzohet nga Beogradi./rel