Klubi i PSG-së ka zyrtarizuar një tjetër lojtar ditën e djeshme para fundit të merkatos. Bëhet fjalë për mesfushorin e Barcelonës, Rafinha, i cili ka kaluar në Paris në formë huazimi për një sezon.
Një lëvizje e çuditshme, duke pasur parasysh marrëdheniet mes klubeve që pasi francezët morën Neymar nga katalanasit.
“Është një gëzim i madh dhe jam me fat që kam mundësinë për të luajtur këtu. Sigurisht që isha pak në tension, pasi nënshkrova në ditën e fundit të merkatos, por fatmirësisht çdo gjë shkoi mirë.
PSG-ja është një nga klubet më të mira në botë dhe për mua është një arritje që do të përfaqësoj këtë skuadër. Më vjen mirë se këtu unë kam edhe shumë miq. Marquinhos, Neymar dhe Icardi, të gjithë më kanë folur mirë për këtë klub.
Objektivat? Personalisht dua të arrij të njëjtin nivel si në sezonin e kaluar. Ndihem akoma i aftë të rritem si futbollist dhe të mësoj nga shokët e skuadrës. Gjithashtu dua të fitoj sa më shumë tituj këtu,” janë fjalët e para të brazilianit për “PSG TV”.
Kujtojmë që në sezonin e fundit 27-vjeçari ishte huazuar tek Celta Vigo, ku ishte një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. Rafinha luajti në 29 ndeshje në La Liga, ku arriti të shënonte dhe katër gola.