Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Nasim Haradinaj në paraqitjen e tij të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë tha po mbahet padrejtësisht në paraburgim.
Mbrojtja e tij ka kërkuar nga gjykatësi lirimin e menjëhershëm të Haradinajt, meqë siç ka thënë ai, Gjykata Speciale është për krime lufte e klienti tij nuk ngarkohet me akuza të tilla. Kundër Nasim Haradinajt nuk është ngritur asnjë aktakuzë por Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se këtë do ta bëjë së shpejti.
Zyrtarë të Dhomave të Specializuara thanë se arrestimi i Nasim Haradinajt ishte i domosdoshëm.
“Ekziston dyshimi i bazuar se Nasim Haradinaj është penalisht përgjegjës për orvatje të kryerjes së veprës penale të frikësimit gjatë procedimit penal, konkretisht ekziston dyshimi i bazuar se zoti Haradinaj mbajti tre konferenca për shtyp me datë 7,16,22 shtator 2020 ku ai shpërndau ose vuri në dispozicion të medias informacion ose dokumente konfidenciale dhe jo publike që kanë lidhje me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe përmendi me emër disa dëshmitarë të mundshëm dhe përmendi të dhëna në lidhje me vendbanimin e tyre dhe të dhëna të tjera personale, kjo sjellje përben kërcënim të rëndë që e nxitë një person të mos jap deklaratë ose të jap deklaratë të rreme”, tha sekretarja e gjykatës.
Në pikën e dytë, sipas fletarrestimit, Haradinaj ngarkohet për kryerjen e veprës penale të hakmarrjes, ndërsa në tretën thuhet se Haradinaj është penalisht përgjegjës për kryerjen e veprës penale të shkeljes së fshehtësisë së procedurës.
“Ekzistojnë arsye të artikulueshme për të besuar se arrestimi i zotit Haradinaj është i domosdoshëm sepse rrethanat konkrete tregojnë se ekziston rrezik i arratisjes së tij, se ai ka motivin, mjetet dhe mundësinë për të penguar ecurinë e procedurës dhe ai do të përsërisë ose do të orvatet të kryejë përsëri veprën penale”, tha sekretarja e gjykatës.
Gjatë seancës gjyqtari Guillou ka pyetur Haradinajn se a i është dhënë mundësia të kontaktoi anëtarët e familjes pasi është arrestuar, Haradinaj ka thënë se këtë e ka bërë tre ditë më vonë.
“Tre katër ditë më vonë, por megjithatë është krye, për arrestim është marrë vesh përmes mediat, po për prurjen time këtu është marrë vesh më vonë, tek mbrëmë kam kontaktuar me familjen”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tregoi që nuk i është mundësuar të marrë numrat kontaktues të familjarëve në telefonin e tij.
Në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Nasim Haradinaj kërkoi që t’i lejohet të flasë rreth arrestimit dhe Gjykatës Speciale.
“Nuk e kam njohur këtë gjykatë, nuk e njoh dhe nuk do ta njoh këtë gjykatë përkundër mandatit 5 vjeçar që i ka dhënë parlamenti im, dhe tani jeni me afat të skaduar pas 2 gushtit. Nëse nuk me leni me bisedu nuk flas më. Që 15 e themi, kemi 150 mijë nënshkrime nga popullata që jemi kundër kësaj gjykate, e faqezinjtë tanë, deputetët, për poste të veta, rroga të veta ,e kanë sjellë popullin këtu, me na arrest, me thy Kushtetutën tonë, andaj e ndjeje veten që jam padrejtësisht këtu, keni thy Kushtetutën e vendit tim, keni thy çdo ligj njerëzor, keni thy të drejtën e mendimit të lirë, mendimin për gjykatën- më dënoni 1 milionë vjet, 500 milionë vjet, nuk mund ta ma heqni mua as 500 mijë njerëzve që mendojnë si unë”, tha Haradinaj.
Megjithatë ai nuk arriti ta lexojë një letër që e kishte të përgatitur për sot.
E mbrojtja e Haradinajt, Bes Martens kërkoi lirimin e menjëhershëm të tij.
Ai tashmë ka dorëzuar një mocion për hedhjen poshtë të akuzave dhe lirim të menjëhershëm të Haradinajt.
“Klienti im nuk është akuzuar për krime lufte, ky është një tribunal për krime lufte, kurse klienti im nuk është i akuzuar për krime lufte dhe për këtë arsye në parashtrimin tim që i kam dorëzuar gjykatës, nuk ka kjo gjykatë juridiksion për këto akuza kundër klientit tim.. Dua nga ju i nderuari gjykatës të vendosni që akuzat nuk janë brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të hidhni poshtë akuzat kundër tij, ta lironi menjëherë nga paraburgimi zotin Haradinaj, me kushtet të cilat do të përcaktohen nga ju”, tha ai.
Gjyqtari urdhëroi që Zyra e Prokurorit të Specializuar të japë përgjigjën ndaj mocionit të mbrojtjes deri të premten, më datën 2 tetor.
Gjithashtu, Guillou kërkoi nga Prokurori i Specializuar të bëjë të ditur se kur do të dorëzojë aktakuzën.
Guillou: Procesi gjyqësor ndaj dy personave që janë në paraburgim të jetë i drejtë dhe i shpejtë
“E di që për momentin mund të mos ketë afate kohore të qarta por duhet të kujtojë prokurorin se ka dy të dyshuar që janë në paraburgim dhe pres që procesi gjyqësor të jetë I drejtë dhe i shpejtë”, tha ai.
Prokurorja Valeria Bolici tha se së shpejta do të përgatisin aktakuzën.
Belici: Zyra e Prokurorit të Specializuar së shpejti do të dorëzojë aktakuzën
“Desha të u përcjellë se zyra e prokurorit të specializuar po punon shumë shpejtë për të siguruar që të dorëzohet një aktakuzë kundër Haradinajt në kohë sa më të shkurtër ka disa hapa hetimor që po ndërmerr zyra jonë për të siguruar që të dorëzohet aktakuza së bashku me të gjitha materialet relevante për të krijuar një dosje të plotë. Ndër të tjera zyra jonë është në procesin e mbledhjes së informacionit nga dëshmitarë të shumë të cilët i kanë përcjellë zyrës sonë e ndjehen të kërcënuar të frikësuar për shkak të arsyeve që janë përmendur për arrestimin e zotit Haradinaj”, tha ajo.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkoi nga prokurori të parashtrojë aktakuzën sa më parë, ndërsa bëri të ditur se do të rishikojë paraburgimin e Haradinajt një herë në dy muaj derisa i tha këtij të fundit që ka të drejtë të kundërshtojë ndalimin e tij.
Haradinaj u arrestua më 25 shtator në Kosovë, në bazë të një fletarrestimi të Dhomave të Specializuara. Sipas Speciales, ai dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Nasim Haradinaj bashkë me udhëheqësit e OVL-UCK, përmes konferencave për media, kishin deklaruar që në zyrat një person i panjohur ka sjellë dokumente, që siç kanë deklaruar ata, janë dosje që rrjedhin nga gjykata Speciale.