Ish presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se ka raporte korrekte me partitë politike, por ka edhe hatërmbetje me individ të caktuar si brenda LDK-së ashtu edhe partive tjera.
Këto komente ish shefi i shtetit i ka bërë në emisionin “Debat” në RTK.
Me gjithë insistimin e gazetarit Ridvan Berisha që Sejdiu të përmend emra se me kë ka hatërmbetje, ai nuk ka përmendur emra.
“E kapërcej hatërmbetjen, kam shumë shembuj kur e kam kapërcyer. Dua të mbaj modestinë dhe madhështinë time dhe mos të hyjë të flas me emra”, ka shtuar ai.
Duke folur për kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, Sejdiu ka thënë se i ka dhënë asaj mbështetje që të etablohet politikisht.
Më pas, Sejdiu është ndalur tek raportet brenda LDK-së, duke thënë se ka shumë çështje që janë nisur dhe nuk janë përfunduar si duhet në LDK, sidomos ndërmjet dy Kuvendevë të fundit zgjedhore.
“Nuk janë lejuar njerëzit që të kandidohen dhe kjo lë gjurmë të këqija në ecjen e mëtutjeshme”.
Për t’iu rikthyer edhe njëherë raportit me Vjosa Osmanin, Sejdiu ka thënë se ka disa qëndrime të saj që i mbështetë, por ka edhe të tilla që nuk i mbështetë. “Shembull, pasi që ajo ka qenë pjesë e kompromiseve në fazën para zgjedhjeve. E kam kundërshtuar largimin e saj nga strukturat”.
“Ajo vet le të përcaktohet, nuk me kë pëlqyer ajo që ka bërë, sepse është e kundër filozofisë së Rugovës. Duhej të tërhiqej prej pozitës së kryetares së Kuvendit, sepse i takon një partie tjetër. Sidomos pas thyerjeve ndërmjet LDK-së dhe VV-së, është dashur të tërhiqej që të tregojë që është pjesë e LDK-së”, ka thënë Sejdiu.