Arlind Ajeti rikthehet zyrtarisht në Itali, tashmë për të mbajtur fanellën e Reggianas në Serie B, skuadër që u ngjit këtë vit në kategorinë e dytë italiane dhe që ka objektiva madhorë në edicionin e ri 2020/2021 pasi synon fazën play-off për një vend në Serie A sezonin e ardhshëm.
Ajeti është larguar kështu pas disa muajsh eksperiencë në Danimarkë me fanellën e Veljes për t’u transferuar në Itali aty ku ka firmosur për 2 vite me Reggianan.
Ai do të veshë fanellën me numër 93 te klubi nga Reggio Emilia, ndërsa Reggiana bëhet ekipi i 4-t i tij në Itali pas aventurave në Serie A me Frosinonen, Torinon dhe Crotonen.
Pas prezantimit te skuadra e tij e re, vetë lojtari ka thënë edhe fjalët e para si lojtar i Reggianas me shpresën se te kjo skuadër Ajeti do të gjejë formën optimale dhe do të rikthehet të jetë pjesë edhe e kombëtares shqiptare pasi është ende shumë i ri vetëm 27-vjeç.