Sheholli për zhvillimet në veri: Atje ka persona të armatosur, që as vet qytetarët nuk i njohin

Situata e krijuar gjatë ditës së djeshme në veri të Kosovës, për shkak të shpërthimeve dhe te të shtënave, ka bërë që të ketë reagime të shumta.
Së pari, ato që ishin vetëm raportime, Policia e Kosovës i konfirmoi duke dhënë detaje në lidhje me këto incidente, nga ku u tha se këto dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë veriore, janë bërë nga personat të maskuar të dhunshëm, të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme.

“Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav. Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë”, është mes tjerash nga PK-ja.

Në lidhje me situatën në veri, lajmi.net ka kontaktuar me Fatmir Shehollin, drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike.

Sheholli, tha se, në këto rrethana zgjedhjet në veri nuk duhet të mbahen, dhe se, do të ishte e pajustifikueshme humbja e një jete për hir të zgjedhjeve lokale.

Ai po ashtu tha se sipas tij, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, edhe i dërguari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ia kanë bërë të ditur kryeministrit Albin Kurti, që zgjedhjet në veri në këtë situatë janë rrezik i madh.

“Ne Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, ka tre muaj që i kemi parapri këtyre ngjarjeve nga zyrat që i kemi atje duke i treguar edhe organeve të shtetit që situata është e acaruar dhe ajo mund vetëm të përshkallëzohet. Në këtë kuptim edhe tash kur i kemi këto rrethana të krijuara e kemi dhënë mendimin tonë domethënë profesional që zgjedhjet në veri në këto rrethana nuk duhet të mbahen për arsye se ligji mund të zbatohet edhe më vonë, pra ligji i zgjedhjeve në rrethanat normale. Është e pajustifikueshme edhe humbja e një jete e pafajshme që për hir të mbajtjes së zgjedhjeve lokale e që do të kishin si rezultat krijimin e një atmosfere edhe më të ashpër për arsye se siç po e shifni edhe sot, të gjithë faktorët ndërkombëtarë, prej ambasadorit amerikan këtu e pastaj edhe dje Lajçak gjithashtu i ka thënë kryeministrit Kurti, kurse të hënën edhe Escobar do të ia bëj të ditur që zgjedhjet në veri në këtë situatë të krijuar të kësaj forme çfarë janë, janë rrezik i madh”, deklaroi Sheholli.

Tutje, ai foli edhe për rrezikshmërinë, duke thënë se në veri të Kosovës ka njerëz të armatosur të maskuar të cilët vetë qytetarët serbë nuk i njohin ata.

Pos kësaj, drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, shtoi se, në mënyrë që të shtrohet ligjshmëria në veri, duhet bashkëbisedim i përhershëm me serbët lokal.

“E tash a ka rrezikshmëri dhe cilat janë, ne duhet të themi se në veri të Kosovës ka njerëz të armatosur të maskuar dhe njerëz të cilët vetë qytetarët në veri serbë, nuk i njohin kush janë ata. Pra jemi në një situatë ku Kosova nuk ka, të themi, organe në veri të cilat do të mundeshin që të shtrijnë komplet ligjshmërinë në atë pjesë, për ta shtruar ligjshmërinë në atë pjesë neve na u duhet bashkëbisedim i përhershëm, shumë shpesh me serbët lokal, atë që dikur e promovonte z.Kurti”, deklaroi Sheholli.

Ndaj incidenteve në veri të vendit, kanë ardhur reagime nga sfera politike, por edhe nga palët ndërkombëtare.

Një nga këto reagime është ai i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se SHBA-të dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme.