Qeveria gjermane i analizon “me shumë seriozitet” kërcënimet bërthamore të presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock. Megjithatë, ajo ka thënë se Berlini nuk do të lejojë që të shantazhohet nga Moska.
“Ne i analizojmë fjalët e tij me shumë seriozitet, gjithçka tjetër do të ishte neglizhencë”, ka thënë ajo për gazetën, Neue Osnabrücker Zeitung. Putin e ka dëshmuar disa herë se ai nuk u shmanget krimeve më të këqija të luftës, ka thënë Baerbock.
Prapëseprapë, sipas saj, Putin e kupton se “asnjë shtet në botë, as ato, sikurse Kina – që nuk kanë marrë pozicion të qartë – nuk do të pranojnë të luajnë me zjarrin në këtë çështje”. “Ne nuk duhet, dhe as nuk do t’i nënshtrohemi shantazhit – Putin do të shihte diçka të tillë si ftesë për përshkallëzim të mëtutjeshëm”.
Bearbock ka thënë se është e bindur që presidenti rus është duke humbur mbështetjen në botë. “Janë shumë pak shtete që ende e mbështesin Putinin; qindra mijëra rusë të rinj janë duke ikur nga shteti. Presidenti rus është më i izoluar dhe më i vetmuar se kurrë më parë”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.