Ndalohen 16 persona në Ferizaj- të dyshuar për vrasje, mbajtje të armëve dhe posedim të substancave narkotike

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë kësaj jave, me vendim të prokurorit, ka ndaluar gjithsej 16 persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për kryerjen e veprave penale të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të veprave penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar 12 persona për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor”, “Kanosja”, “Lëndim i lehtë trupor”dhe “Dhuna në familje” të KPRK-së.

Po ashtu, gjatë kësaj jave, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka paraqitur 6 kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit 8 personave për veprat penale të lartëcekura.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, ngritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në njoftimin e bërë për media.