Arian Zeka flet për marrëveshjet e 4 shtatorit, thotë se edhe administrata Biden i mbështet

Kosova ka filluar zbatimin e një pikë të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 4 shtator.

E për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane Ekonomike në Kosovës, Arian Zeka, thotë se duhet të ketë stabilitet politik në mes dy vendeve nënshkruese, Kosovës dhe Serbisë.

“Për zbatimin e plotë të marrëveshjes së 4 shtatorit duhet të kërkohet stabilitet politik në të dyja shtetet që janë nënshkruese të kësaj marrëveshje pra edhe në Kosovë edhe në Serbi. Fatkeqësisht ne sot kemi një qeveri në detyrë që perceptohet se ka një mandat të kufizuar për sa i përket shtyrjes përpara të pikave që janë të dakorduara me marrëveshjen e 4 shtatorit”, tha Zeka.

Një marrëveshje e tillë Zeka thotë se është përshëndetur edhe nga administrata e re amerikane.

“Në anën tjetër po ashtu kemi pasur ndërrim të administratës amerikane, edhe pse ajo duket se konfirmon zotimin amerikan, që është i rëndësishëm edhe për zotimin e marrëveshjes së 4 shtatorit. Gjithçka do të varet në javët në vijim. Por ajo çka tashmë është e ditur është se sekretari i ri i shtetit amerikan ka përshëndetur marrëveshjen nga ana e administratës të ish-presidentit Trump që i bie që edhe zotimi amerikan për atë që është nënshkruar më 4 shtator mbetet në fuqi”, deklaroi Zeka.

Por mos formimi i një qeverie në Kosovë, ai thotë se e vonon zbatimin enjë marrëveshjeje.

“Mungesa e një qeverie në Kosovë e vonon zbatimin e marrëveshjes, natyrisht edhe përfitimet në aspektin ekonomik që Kosova mund t’i ketë nga një marrëveshje e tillë. Shpejt presim që të kemi edhe një përfaqësues të korporatës zhvillimore në Prishtinë”, u shpreh Zeka.

Ndryshe, me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar të premten, marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Më poshtë janë pikat e përmbajtjes së marrëveshjes së nënshkruar nga pala kosovare.

Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.

Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.

Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:
-Autostradën e paqes
-Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare
-Lidhjen hekurdhore Nish-Prishtinë
-Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
-Projekte shtesë dypalëshe
-Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.
Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdare.
Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vtit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.
Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.
Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të pëërdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.
Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë.
Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.
Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacioneve midis njëra-tjetrës dhe brenda kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit me SHBA-në në Ballkan, dhe do të angazhohen për përditësime teknologjike, për të luftuar aktivitetet keqdashëse, duke zbatuar dhe operacionalizuar sistemet e siguruara nga SHBA-ja, për kontroll dhe informacion, përfshirë: PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.
Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush.
Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit.
Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë.
Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e Hezbollahut dhe aktivitetet financiare nën juridiksionin e tyre.
Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë.