Krasniqi: Përpiqeni t’i ndani njerëzit në katolik e myslimanë, unë jam shqiptarë, as katolik as myslimanë

Ish-zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, njëherësh zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi është paraqitur sot në sallën e gjyqit në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në seancën e tij të parë, Krasniqi ndër të tjerash tha se ka pranuar aktakuzën, por që së fundi iu dorëzua me disa ndryshime apo korigjime.

Gjithashtu ai deklaroi se asnjëherë të vetme nuk ka trajtuar njerëzit në mënyrë kriminale dhe se gjatë luftës vetëm ka luftuar gjenocidin që po bëhej në Kosovë.

Ai gjithashtu tha se në aktakuzë po quhen si ndërmarrje kriminale, ndërsa në gjyq është marrë pa të drejtë, transmeton lajmi.net.

“E ndjej veten më shumë se mirë, dhe kurrë s’do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Jam intelektual, jam njeri që politikisht e kam luftuar Serbinë, kurrë në asnjë deklaratë time nuk e kam drejtuar gishtin nga popullsia civile, prandaj në aktakuzë përpiqeni t’i ndani njerëzit në katolik e myslimanë, unë jam shqiptarë as katolik as myslimanë. Kjo është fyese edhe për mua edhe për vendin tim”, tha ai.

Tutje Krasniqi theksoi se adresa e saktë e gjithë kësaj është në Beograd.

Fjalimi i plotë:

Unë duhet të them dy tri çështje dhe do të përpiqem që t’i them kogja shkurtër. Së pari dua të them këtu se unë jam arrestuar me 4 nëntor 2020 dhe në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët, unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit aq keq sa më keni trajtuar mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. Theksoi kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë sepse s’kam bërë atë, sepse unë luftova vetëm gjenocidin në Kosovë.

E ndjej veten më shumë se mirë, dhe kurrë s’do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Jam intelektual, jam njeri që politikisht e kam luftuar Serbinë, kurrë në asnjë deklaratë time nuk e kam drejtuar gishtin nga popullsia civile, prandaj në aktakuzë përpiqeni t’i ndani njerëzit në katolik e myslimanë, unë jam shqiptarë as katolik as myslimanë. Kjo është fyese edhe për mua edhe për vendin tim.

Cilësimi i prokurorit se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë, por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë me rrethana tepër të vështira, jetë a vdekje u vumë në shërbim të lirisë e shtet ndërtimit, të cilat i arritëm në bashkëveprim me SHBA-të e BE-në, me NATO-në e OKB-në dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtet formuese.

Ndërsa ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët në Serbi, por ishte dhe është koka e saj në Beograd dhe mbështetësit e politikave të Beogradit.

Besoj dhe besoj shumë që këtë e dinë secili qytetar i arsimuar, që së paku është mbi 30 vjet e jeton në vendet e demokracive perëndimore, aty ku janë rritur e edukuar me vlerat e kësaj bote, me vlerat që kanë të bëjnë me liritë e njeriut.

Unë sot s’du ta zgjasë më shumë, por dua t’u them që unë kam qenë i dënuar nga regjimet kriminale të Jugosllavisë, në vitin 1981-82, e ata më kanë ndaluar pse kam lexuar libra e pse kam fol e kundërshtuar atë regjim, por besoni më shumë kanë pasur ata të drejtë atje, se sa sot që gjendem këtu.

Për mua është bërë një padrejtësi e madhe dhe do ta bajtë edhe këtë padrejtësi, se populli e ka një fjalë “Njeriu është më i fortë se guri e atë që se ban guri e ban njeriu”.

Unë dhe populli im ka bajt shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për një të tillë padrejtësi, në seancat e tjera do të them edhe më shumë, veç s’do ta ndjeja veten mirë të isha në shërbim të politikave të krimeve të gjenocidit të Serbisë për të cilat edhe prokurori serb, këto ditë tha pasi është ngrit aktakuza që ka qenë prokuror nga viti 2003, unë mendoj se adresa e qartë e krejt kësaj maskarade është në Beograd dhe tek mbështetësit e politikave të saj, kudo qofshin ato.