Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka folur sot serish mbi mundësinë e dorëheqjes, pas skandalit të vjedhjes së më shumë se 2 milionë euro nga arka e shtetit.
Ajo nuk e ka parë të udhës të shkojë në shtëpi për paratë e shtetit që janë ‘avulluar’ këto ditë.
Dorëheqja nga kjo pozitë, siç tha ministrja, do t’i kontribuonte atyre që janë përfshirë në krimin e organizuar.
Këto komente Bajrami i bëri në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare, nga ku iu kërkua përgjegjësia nga deputetët e opozitës për skandalin e fundit në Thesar.
Zëvendëskryetari i Komisionit nga Vetëvendosje, deputeti Enver Haliti ka kërkuar ndërmarrjen e masave ndaj personave të përfshirë në këtë rast në kuadër të ministrisë.
“Nuk mjafton vetëm të lirohet nga detyra një këshilltare e zëvendëskryeministres pse ka qëlluar që familjarët e saj janë pronarë të kompanisë që është dërguar transaksioni. Besoj që në përgjegjësi duhet të shkojnë edhe persona të tjerë”, tha Haliti.
Ministrja Bajrami tha se secili person i përfshirë në këtë skandal duhet të jep përgjegjësi dhe të merr dënimin e merituar.
“Tani nuk është që ndihem mirë që diçka e tillë ka ndodhur, nuk është që nuk më ka shkuar mendja që për shkak të përgjegjësisë morale edhe të jap dorëheqje. Mirëpo, dorëheqja ime do t’iu bënte favor vetëm atyre, të cilët janë të involvuar në këtë krim të organizuar, sepse do të isha unë ajo që do të merresha këtë përgjegjësi dhe do të merrja fajin. Në vend të kësaj, kam vendosur që të vë gjithë Ministrinë e Financave në dispozicion të organeve të drejtësisë për të ofruar informatat e nevojshme. Të gjitha informatat tash i kanë, krejt transaksioni gjurmohet nga BQK, Njësia e Inteligjencës Financiare. Me të vërtet besoj, shpresoj dhe pres që organet e drejtësisë do të kryejnë punën e tyre”, tha Bajrami.
Ndërsa, kryetari i Komisionit, deputeti Bedri Hamza duke kërkuar që ky rast të zbardhet sa më parë, ka kërkuar sqarime nga ministrja Bajrami se a kanë qenë në funksion hallkat e sigurisë.
“Të gjithë pajtohemi që është diçka shqetësuese, po flasim për besueshmërinë e sistemit të pagesave. Megjithatë, a mundeni veç një informatë shtesë, sa kanë funksionuar hallakat e sigurisë në sistem?”, tha Hamza, raporton KP.
Ministrja Bajrami ka siguruar se nuk ka bërë asnjë lëvizje të stafit që prej kohës kur ka marrë këtë përgjegjësi në ministri, teksa shtoi se edhe sistemin dhe stafin e ka trashëguar komplet.
Komisioni ka shqyrtuar raportin e auditorit për vitin 2019, të cilin e ka prezantuar ministrja Bajrami, e cila tha se raporti në mënyrë të detajuar ka nxjerrë në pah të gjeturat, konkluzionet dhe rekomandimet me qëllim të përmirësimit të menaxhimit të fondeve publike.
“Të gjeturat në raportin vjetor të auditorit për 2019 ishin të fokusuara në keq klasifikimin e shpenzimeve, efikasitetin buxhetor, detyrimet e papaguara, llogaritë e arkëtuara, menaxhimi jo i mirë i pasurive dhe prokurimeve publike, po ashtu edhe shkalla e ulët e rekomandimeve në organizatat buxhetore dhe gjendja shqetësuese te ndërmarrjet publike”, tha Bajrami.
Për të gjeturat e raportit të auditorit patën vërejtje deputetët e opozitës, veçmas për borxhet e mëdha ndaj qytetarëve dhe bizneseve, si dhe për punonjësit që marrin paga duke qëndruar në shtëpi.