Nderim Halimi, pronari i kompanisë së përpunimit të qumështit “Sharri” në Prizren, thotë se nuk do mund t’i përballojë edhe një tjetër mbyllje si masë parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit.
Me rritjen e rasteve të infektimit nga COVID-19, disa shtete kanë filluar rikthimin e kufizimeve. Numri i rasteve të të infektuarve është rritur edhe në Kosovë, por autoritetet shëndetësore po kërkojnë nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse, për të evituar një mbyllje totale.
Kosova ka regjistruar të hënën (më 19 tetor) 118 raste të reja me koronavirus, kurse më 6 tetor, numri i të infektuarave ka qenë 34.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të dielën ka thënë se institucionet po përgatiten që t’i përgjigjen rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus, duke iu bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal. Institucionet, kanë bërë gati veprimet e nevojshme, për të evituar, siç u shpreh ai, një “mbyllje totale”.
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, gjatë një vizite që i ka bërë të hënën Qendrës Korrektuese në Lipjan, tha se “mbyllja e tërësishme është opsioni i fundit”.
Halimi: Nuk mund t’i rezistojmë mbylljes së dytë
Pronari i kompanisë për përpunimit të qumështit “Sharri”, Nderim Halimi thotë se në fazën e parë të mbylljes, nga muaji mars deri në muajin maj, shitja e produkteve ra për 40 për qind, kurse punëtorët dhe shpenzimet tjera të nevojshme i ka financuar me mjete të kursyera dhe jo nga fitimi i qarkullimit.
“Në rast izolimi, ne do mund të mbajmë edhe një muaj në funksion kompaninë sepse nuk kemi arritur të krijojmë stoqe dhe mjete financiare që janë harxhuar nga pandemia e parë. Por, jam shumë i sigurt se nuk do mund të rezistojmë një izolimi tjetër eventual, sikurse gjatë mbylljes e parë”, tha Halimi për Radion Evropa e Lirë.
Kjo kompani numëron 36 punëtorë të rregullt dhe rreth 550 fermerë nga të cilët furnizohet me qumësht në baza ditore.
Shahini: Do falimentojnë bizneset, do rritet papunësia
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thekson se në rast të marrjes së vendimit për ashpërsimin e masave kufizuese, humbjet e bizneseve do të trefishohen dhe do të shuhen në mënyrë masive. Rrjedhimisht do të rritet dukshëm shkalla e papunësisë në vend, shton ai.
“Do të kemi mijëra qytetarë të papunë, do rritet pakënaqësia dhe interesi i madh i qytetarëve për të ikur nga Kosova. Pasiguria do të jetë prezent sepse ku njerëzit janë të papunë dhe në krizë, rritet pasiguria për jetuar në vend. Do të rriten aktivitetet kriminale, qytetarët do të tentojnë të mbijetojnë në kushte të rënduara ekonomike, kurse shteti me të vërtet do të ballafaqohet me një krizë”, tha Shahini.
Humbjet e deritashme në ekonominë e Kosovës të shkaktuara nga pandemia vlerësohen të jenë një miliard euro, ka thënë ditë më parë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kurse deri në fund të vitit mund të humbin mbi 30 mijë vende pune.
Radio Evropa e Lirë, në rrjetin social Facebook, ka bërë një pyetje se a duhet të ketë përsëri mbyllje të ekonomisë, si në muajit e parë të pandemisë për t’u mbrojtur nga COVID-19.
Numri më i madh i komentueseve, janë shprehur kundër ashpërsimit të masave kufizuese.
Keqa: Humbjet e bizneseve do rrisin nivelin e kredive joperformuese
Flamur Keqa, njohës i çështjeve financiare, thotë se humbjet materiale të bizneseve mund të ndikojnë edhe në sistemin financiar.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Keqa thekson se në pamundësi të zhvillimit të veprimtarisë, biznese nuk do kenë qarkullim, njëherësh nuk do arrijnë kthimin e kësteve të kredive në bankat komerciale.
Moskthimi me kohë i kësteve të kredisë do rrisë nivelin e kredive joperformuese.
“Një prej ndikimeve do të jetë edhe prishja e raportit të kredive të këqija sepse përqindja e kredive të këqija në sistemin bankar është në nivelin më të mirë në krahasim me të gjitha vendet e rajonit. Kurse rritja eventuale paraqet rrezik shtesë për sistemin bankar”, thekson Keqa.
Vlera e kredive të përgjithshme në dhjetë bankat komerciale në Kosovë ka arritur në 3.1 miliardë euro. Nga kjo vlerë, rreth 2 miliardë euro janë kredi të huazuara nga bizneset. Përqindja e kredive joperformuese në muajin gusht të këtij viti ka arritur në 2.6 për qind nga 1.9 për qind sa ishte në fund të vitit të kaluar.
Ndryshe, për të rikuperuar humbjet që kanë pësuar bizneset nga pandemia COVID- 19, Qeveria e Kosovës ka ndarë 60 milionë euro. Nga kjo shumë bizneset kanë përfituar varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 17,009 të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Prej tyre 656 pacientë kanë vdekur, derisa raste aktive aktualisht janë 1,637.