Bajrush Xhemaili, deputet i PDK’së, ka thënë në seancën e sotme të Kuvendit se janë kundër ndryshimit të Ligjit për Automjete që do të nënkuptonte heqjen e homologimit për vetura.
Sipas PDK-së, ky ligj i propozuar nga VV-ja është i varfër e se me votimin e tij nuk do të hiqet monopoli.
“Ky draft ligj është i varfër dhe si i tillë nuk ua merr homologimin atyre që e kanë sot as nuk e heq monopolin. Edhe në këtë projektligj mbetet në dorë të ministrave që t’ua jap autorizimet kompanive përkatëse. Nuk hiqet taksa që ka kosto 1.8 milionë për qytetarë. Që kur është incicuar homologimi ka qenë në mungesë të transparencës”, ka thënë ai.
“Ky ligj është i mangët, sepse nuk ka transparencë, nuk eliminohet monopoli, nuk rregullohen standardet dhe kriteret. Ky projektligj nuk e ul çmimin për uljen e homologimit. PDK’ja mendon që ky vend në mes të sigurisë rrugore dhe interesin e qytetarëve të hartohet një ligj ku mbrohet interesi qytetar”, ka thënë Xhemaili derisa ka folur në emër të grupit parlamentar.
“Në emër të grupit parlamentar të PDK’së propozoj që të hiqet ky ligj që ta përmirësojmë ashtu siç duhet, për një pjesë të mediave, që kanë shkruar për punën e mediave, që thotë se përfaqësuesi i PDK’së unë në komision gjoja kam votuar kundër heqjes siç thonë Devollët, është gënjeshtër e kulluar pasi që këto që i thash sot në Kuvend, i thash edhe sot”, ka thënë ai.