Hoti i prerë: Asgjë nga dialogu nuk zbatohet pa arritjen e marrëveshjes përfundimtare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur rreth dialogut me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie, ku komentoi të arriturat e Raportit të Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Komisioni Evropian, foli edhe për çështjen e dialogut me Serbinë.

Hoti tha se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë arsye përse ta pengojë procesin e dialogut.

Sipas tij, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveç njohjes dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare, raporton lajmi.net.

Ai tha se tashmë Kosova dhe Serbia paraqiten dhe trajtohen të barabarta në këtë proces, si dy shtete të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën.

Hoti po ashtu theksoi se asnjë marrëveshje që është arritur deri më tani nuk do të zbatohet pa nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare.

“Kjo qeveri nuk ka arsye që ta pengojë dialogun. Nuk ka rrugë tjetër për ti zgjidhur çështjet mes Serbisë e Kosovës përveç dialogut. Edhe nëse do të duhej të dilogonim edhe 3-5 vjet deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare në kufijtë ekzistues. Nuk ka rrugëdalje përveç kësaj…. Ne jemi duke dialoguar në standarde të barabarta, si dy shtete të barabarta që nuk e njohin njëra-tjetrën. Kur flasim për Asociacionin, kjo temë është e mbyllur dhe është një obligim i shtetit të Kosovës. Nuk do të pajtohemi dhe nuk fillon së zbatuari asgjë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare e cila siguron njohjen reciproke”, theksoi Hoti.