Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar Marrëveshjen e Punës me Qendrën Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA) për luftimin e narkotikëve.
Kërkesa për nënshkrim nga Ministria e Punëve të Brendshme, si bartëse e politikave për luftimin e narkotikëve, ishte iniciuar në vitin 2019.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i EMCDDA, Alexis Goosdeel.
Ministri Veliu ka thënë se marrëveshja e nënshkruar sot mundëson luftën si dhe ndërtimin e një sistemi për parandalimin e një sistemi për parandalim e hershëm të drogave.
“Është kënaqësi të nënshkruaj këtë Marrëveshje Pune, si vazhdimësi e bashkëpunimit institucional të ndërtuar ndër vite në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qendrës Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Droga. Kjo marrëveshje do të mundësojë avancim dhe profesionalizim në luftën kundër drogave, dhe ndërtimin e një sistemim funksional për parandalim të hershëm dhe raportimin e drogave të reja”, ka thënë Veliu.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se përmes kësaj marrëveshjeje synohet që t’i jepet rendësi luftimit kundër narkotikëve.
“Duke rritur kapacitetet, bashkëpunimin me sektorë të tjerë, dhe duke përfituar edhe nga asistenca juaj, përmes kësaj marrëveshje llogarisim që luftës kundër drogave t’i japim edhe më shumë rendësi në të ardhmen, me qëllimin kryesor që t’i ndihmojmë qytetarët tanë për një trajtim dhe rehabilitim gjithëpërfshirës”, ka thënë Zemaj.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 6 qendra, të cilat furnizohen me metadon për pacientet e varur nga narkotikët.
“Në procesin e fuqizimit të legjislacionit, Ministria e Shëndetësisë ka miratuar udhëzimin administrativ për terapinë mbajtëse me medaton, duke siguruar për klientët 6 qendra brenda repartit psikiatrik të spitaleve Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Pejë, Gjilan dhe një qendër në komunitet privat Labirint, që është e licencuar të cilat furnizohen me metadon nga Ministria e Shëndetësisë, dhe ndahen me klientët, pacient si terapi zëvendësuese”, ka thënë Zemaj.
Drejtori i Qendrës Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Droga, Alexis Goosdeel ka thënë se mirëpret zotimet e ministrave Veliu dhe Zemaj për mbështetjen në luftë kundër narkotikëve.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen në momentin me të rëndësishëm, dhe mirëpresim zotimin e dy ministrave, ministrin e Punëve të Brendshme dhe atë të Shëndetësisë për mbështetje. Ky përkushtim i Kosovës për bashkëpunim me neve është një përkushtim i punës që është punë multi-disiplinare”, ka thënë ai.
Ndryshe, bashkëpunimi me EMCDDA zhvillohet tash e disa vite, e që është realizuar përmes pjesëmarrjes në takime të ndryshme rajonale, punëtori, trajnime dhe përgatitje të raporteve. Pikë-kontakti e MPB-së është Sekretariati i Strategjive, deri në momentin kur do të themelohet Observatori i Drogave, kërkesë kjo e EMCDDA, si dhe një nga kriteret për liberalizimin e vizave.