Me dy ndeshjet e sotme mes Ballkanit dhe Feronikelit dhe Llapit dhe Gjilanit është mbyllur java e dytë në Superligën e Kosovës në futboll.
Java e tretë e elitës së futbollit kosovar do të vazhdojë nga e premtja.
Në këtë ditë do të luhet takimi mes Besës së Pejës dhe Arbërisë nga ora 16:00 në Brestovik.
Por, e gjithë vëmendja do të jetë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në kryeqytet, FC Prishtina do të ballafaqohet me kampionen e Kosovës, Dritën.
Sipas “Olle” kjo ndeshje nuk do të shtyhet dhe do të zhvillohet të dielën nga ora 13:30.
Fillimisht, ishte raportuar se kjo ndeshje mund të shtyhet për të hënën për shkak të angazhimeve të Dritës në Ligën e Evropës.