Mungesa e kuorumit pamundëson ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur t’i ratifikojë disa marrëveshje ndërkombëtare.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka kuorum për t’u ratifikuar këto marrëveshje.

Nuk ka pasur kuorum për votimin e Projektligjit nr. 07/L-025 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurimin e ujit, Projektligjit nr. 07/L-035 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe as votimin e Projektligjit nr. 07/L-036 për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Gjithashtu nuk është miratuar në parim i Projektligjin për peticione. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, nuk është hedhur në votim pasi që për të kaluar duhet shumicë e dyfishtë e cila nuk ka qenë prezentë në Kuvend.

Ndërsa më shumicë votash ka kaluar në parim Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike.