Frashër Demaj flet në Kuvend për librin ku masakra e Reçakut cilësohet si “incident”

Në Kuvendin e Kosovës ka folur sot historiani i LDK-së, Frashër Demaj, i apostrofuar shumë kohëve të fundit për librat e historisë në të cilat pretendohet se nga autorësia e tij, masakra e Reçakut quhet incident, dhe në të cilën cënohet dinjiteti i gruas shqiptare.

Ai në foltoren e vendit, Frashër Demaj, tha se të gjitha këto fjalë që janë thënë për të janë shpifje dhe gënjeshtra që sipas tij kanë për synim cënimin e imazhit të dikujt, shkruan lajmi.net.

“LDK ka një traditë të cilën e ka trashëguar në Rugova. Gjatë këtyre ditëve janë bërë shumë shpifje dhe gënjeshtra nga qarqe të ndryshme për cënimin e imazhit të dikujt. Në shkrimet e Frashër Demajt masakra e Reçakut nuk quhet ndryshe pos masakër. Për pjesën e botuar në një botim ndërkombëtar ku fyhet dinjiteti i gruas shqiptare, unë shfaq indinjatën time”, thuhet aty.

Tutje, ai pretendon se shkrimi është i para 200 vjetëve nga autori Brighton dhe se nuk mbanë autorësinë e tij.

“Ky shkrim është i para 200 vjetëve nga autori Brighton. Unë dhe grupi punues i Kosovës mbajmë përgjegjësi vetëm për ato shkrime që janë me vulën e arkivave të Kosovës. Shikoni librin në faqen 66, flitet për përpjeket e Rugovës për pavarësi, e pastaj për UÇK-në.  Masakrën e Reçakut e ka quajtur gazeta serbe “Vreme” incident”, ka thënë ai.