KRU “Gjakova” njofton të gjithë konsumatorët e saj se ka nisur shpërndarjen e vërejtjeve për ndërprerje të shërbimeve të ujësjellësit, për shkak të mos pagesës së borxheve.
Në njoftimin për media thuhet se vërejtjet për ndërprerje të shërbimeve të ujësjellësit po u dërgohen konsumatorëve që kanë mbi 200 euro borxh të grumbulluar, për t’i njoftuar paraprakisht mbi masat dhe procedurat që do të ndiqen sipas rregulloreve në fuqi.
“Konsumatorët që njoftohen paraprakisht me anë të “Vërejtjes për ndërprerje të shërbimeve të ujësjellësit”, në afat prej 5 ditësh janë të detyruar të paraqiten në zyrat tona me qëllim të kryerjes së obligimit ndaj borxhit ose ri-programimit të tij me këste duke paguar 10% të borxhit. Në rast të mos përgjigjes ndaj obligimeve kundrejt borxhit të akumuluar në afat prej 5 ditësh, përkundër dëshirës sonë, ne si ofrues i shërbimeve jemi të detyruar të iniciojmë “Vendimin për shkyçje” si dhe të ngremë procedurat përmbarimore, te përmbaruesit privatë”, thuhet në njoftim.
KRU “Gjakova” fton konsumatorët borxhlinj që të përmbushin obligimet e tyre për shpenzim të ujit dhe se e njëjta vlen për të gjithë zonën e shërbimit të KRU “Gjakova” – Gjakovë, Rahovec dhe Prizren.