Naser Sahiti fillon detyrën në krye të UP-së

Sot, Naser Sahiti, ka filluar mandatin e tij katërvjeçar në krye të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Pas mikpritjes në rektoratin e UP-së nga stafi i brendshëm i rektoratit, rektori Sahiti ka vizituar disa njësi akademike, ku i ka takuar dekanët e fakulteteve, të cilët po ashtu kanë nisur mandatin e tyre në menaxhimin e njësive akademike.

Rektor, Naser Sahiti e vizitoi së pari Fakultetin e Mjekësisë në UP, për të vazhduar me vizitat në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Arteve dhe Fakultetin Juridik.

Gjatë vizitës në njësitë akademike të UP-së, rektori Sahiti u prit në takim nga dekanët: Suzana Manxhuka – Kërliu, Ahmet Shala, Isak Shabani, dr. Hazir Haziri dhe Avni Puka.

Rektori Sahiti ua uroi dekanëve fillimin e vitit të ri akademik, duke garantuar që menaxhmenti i UP-së do të bashkëpunojë ngushtë me njësitë akademike, si dhe do të punojë intensivisht në sigurimin e transparencës maksimale me të gjitha instancat, brenda dhe jashtë UP-së.

“Përkundër sfidave, ne duhet të punojmë intensivisht për Universitetin e Prishtinës dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ju e keni përkrahjen time të pakursyer që të punoni dhe të angazhoheni që të mos dëmtohet procesi mësimor, i cili po nis në rrethana jo të zakonshme,” theksoi Sahiti.

Dekanët e uruan rektorin Sahiti për pranimin e detyrës, si dhe e falënderuan për kujdesin e shfaqur qysh në ditën e parë të tij të punës në këtë funksion.

Vlen të përmendet që vizita e Sahitit në Fakultetin e Mjekësisë u realizua në objektin e ri të këtij fakulteti, i cili për studentët dhe stafin do të ofrojë hapësirë funksionale dhe moderne për mësimnxënie.

Naser Sahiti, nga data 1 tetor 2020, e mban pozitën e rektorit të UP-së. Sahiti është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në UP, si dhe paraprakisht ka shërbyer në funksione të tjera menaxheriale të UP-së.