Klinaku thotë se mori thirrje nga Specialja: Sa kuptova, më thanë se duhet të nënshkruaj diçka

Sekretari Organizativ i OVL-së së UÇK-së Faton Klinaku ka thënë se e ka marrë një thirrje nga Dhomat e Specializuara.

Klinaku përmes një postimi në Facebook ka thënë se personi që e ka telefonuar i ka thënë se ai flet gjuhën gjermane dhe atë angleze, por se ai ka refuzuar të flasë – pa përkthyes.

Ai ka thënë po ashtu se me aq sa ka kuptuar i është kërkuar të nënshkruajë diçka. Sekretari Organizativ i OVL-së së UÇK-së ka ripërsëritur se nuk e njohin Gjykatën Speciale.

“Më thirrën në telefon dhomat e specializuara të gjykatës speciale dhe më thanë ti flet gjermanisht por ju thashë po por nuk dua të flas, më thanë ti flet anglisht po thashë por nuk dua të flas. Më thirrni vetëm me përkthyes. Çka unë e kuptova, më thanë se duhet të nënshkruaj diçka. Ju e dini që ne nuk e njohim dhe kjo gjykatë speciale nuk ka më mandat”.

Në ndërkohë, avokati i OVL-së së UÇK-së Tomë Gashi ka thënë, po përmes një postimi në Facebook, se Policia e Prokurorisë Speciale në Hagë ka kërkuar që ai si avokat i OVL të UÇK-së të lajmërohet në policinë e Eulex-it në Fushë Kosovë bashkë me Faton Klinakun.

Gashi ka thënë se nuk i përgjigjet kësaj thirrje.

“Unë kësaj thirrje nuk do ti pergjigjem, ngase nuk e kam pranuar dhe nuk e pranoj Gjykatën Speciale.

Sonte ose shihemi në ndonjë debat televiziv ose unë dhe Faton Klinaku do të flasim për çështje kombëtare në Hagë me Nasim Haradinajn.

Tani Gjykata Speciale e ka humbur arsyen dhe don te arrestoj edhe avokatët që i mbrojnë veteranët e UÇK-së”.