Bekim Jashari viziton familjen e Hysni Gucatit, shprehet i bindur në pafajësinë e tij

Kryetari i Skenderajt,  Bekim Jashari ka vizituar sot familjen e të parit të OVL-së, Hysni Gucati i cili para disa dite është arrestuar teksa tani ndodhet në Hagë.

Me anë të një postimi në Facebook, Jashari ka thënë se me babain e Gucatit dhe bashkëluftëtarë tjerë ka diskutuar për situatën e fundit me zhvillimet e Speciales, shkruan lajmi.net.

Jashari ka thënë se aty u shpreh bindja se edhe kësaj radhe bashkëluftëtarët e lirisë do ta dëshmojnë  pafajësinë  e tyre.

Postimi i plotë:

Bashkë me Nënkryetarin, Nuredin Lushtaku dhe me drejtorë e asambleistë, vizituam familjen e Kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, babain e tij bacën Avdullah, i cili pavarësisht sfidave që ka kaluar ende mbetet i fortë dhe krenar me luftën dhe sakrificën e djalit të tij Hysniut dhe shokëve të tij.

Biseduam rreth situatës në vend, arrestimit të Kryetarit Gucati dhe bashkëluftëtarëve të tij si dhe shprehëm bindjen tonë të thellë se edhe kësaj radhe luftëtarët e Lirisë do të dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit tonë liridashës.

Krenar me kryetarin, Hysni Gucati dhe luftëtarët e Lirisë!

Besojmë në pafajësinë tende dhe luftën e drejtë të UÇK-së i nderuar Kryetar Gucati!.