Pallaska: Ndjekja penale të fillojë nga aty ku rrjedhën dosjet

Avokati i njohur, Dastid Pallaska, ka folur për përgjegjësinë e rrjedhjes së dosjeve sekrete të Speciales.

Me anë të një postimi në Facebook, Pallaska ka thënë se personat përgjegjës për rrjedhjen e dosjeve mund të rrezikojnë sigurinë dhe integritetin e dëshmitarëve e gjithashtu të procedurave të parapara.

Sidoqoftë, Pallaska thotë se ndjekja penale e personave përgjegjës për rrjedhjen e dosjeve, është e pakuptimtë nëse e njëjta nuk fillon në vet Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Por ndjekja penale është e pakuptimtë dhe po aq jo efektive nëse nuk fillon nga vetë Zyra e Prokurorit të Specializuar, nga ku pretendohet se kanë rrjedhur dosjet e klasifikuara”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Sot gjatë drekës djali im i vogël më pyeti për rrëmujën e arrestimeve të djeshme, të cilat rastësisht i kishte parë në televizion mbrëmë.

Zakonisht nuk i bëjnë përshtypje lajmet por skenat e djeshme duket se i kishin dhënë një ndjenjë pasigurie.

Pyetja e tij e parë ishte se çfarë kishin bërë të arrestuarit.

I thash se të arrestuarit dyshoheshin se kishin penguar drejtësinë duke publikuar dokumente sekrete të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Pas kësaj, ai shkurt më pyeti se a kanë qenë të arrestuarit punëtorë të prokurorisë!

Kjo pyetje e pafajshme e një njëmbëdhjetë vjeçari – e cila në fakt paraqet edhe një konstatim logjik – shpalosë thelbin e problemit të qasjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj skandalit të rrjedhjes së dosjeve të klasifikuara nga ky institucion i drejtësisë.

Të gjithë e kuptojmë apo duhet ta kuptojmë se personat përgjegjës për rrjedhjen e dosjeve të klasifikuara – që mund të rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve dhe integritetiin e procedurave penale që pritet të zhvillohen para Dhomave të Specialuzara – duhet të ndiqen penalisht.

Por ndjekja penale është e pakuptimtë dhe po aq jo efektive nëse nuk fillon nga vetë Zyra e Prokurorit të Specializuar, nga ku pretendohet se kanë rrjedhur dosjet e klasifikuara.