Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka treguar se sot nis stinori pranveror në Superligë. Ai permes nje statusi ne Facebook ka thene se edhe ky stinor fillon në gjendje pandemie, prandaj gjithsecili që është pjesë e futbollit duhet të kujdeset pikësëpari për respektim të masave mbrojtëse antiCovid-19.
Shkrimi i plote
Të nderuar futbollistë, trajnerë, drejtues të klubeve dhe donatorë!
Të nderuar gjyqtarë, delegatë e vëzhgues!
Të nderuar tifozë!
Sot nis stinori pranveror në Superligë. Ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës në mesjavë ishin uverturë e mirë për rikthimin e emocioneve edhe në garat kampionale, aty ku është i përqendruar kualiteti dhe ku ka shumë rivalitet sportiv.
Edhe ky stinor fillon në gjendje pandemie, prandaj gjithsecili që është pjesë e futbollit duhet të kujdeset pikësëpari për respektim të masave mbrojtëse antiCovid-19, por gjithashtu edhe për mbarëvajtje të garave.
Jam i bindur se gara do të jetë shumë interesante, pasi secili klub ka bërë përgatitje serioze dhe prurje cilësore gjatë pushimit dimëror, por edhe organet e FFK-së kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe zotohen për integritet të garave.
Uroj për të gjithë një stinor të mbarë, me shpresë se së shpejti do të krijohen rrethanat që dalëngadalë të fillojë edhe rikthimi i tifozëve në stadiume, që do t’i jepnin ngjyrë dhe emocion shtesë kampionatit.
Njëherësh kërkoj nga të gjithë të përfshirët në gara që të jenë sa më të përgjegjshëm, korrektë dhe profesionalë në punën e tyre, derisa klubet të jenë të sinqerta dhe suksesin ta synojnë në bazë të meritës dhe asaj që ofrojnë në fushën e gjelbër.
E për të gjithë ata që do të jenë të papërgjegjshëm do të kemi zero tolerancë.
Urime dhe na priftë e mbara!
Vazhdojmë me Krenari e përgjegjësi…
A.A.