Kurti: Dialogu me Serbinë duhet të bëhet pa presidentë rrotull

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti po vlerëson se dialogu duhet të jetë një proces i cili bazohet në përmbajtjen e marrëveshjes, e jo në ngutinë për ta arritur atë. Sipas tij, ky proces nuk duhet të ndërtohet mbi harta dhe nuk duhet të ketë presidentë rrotull si në të kaluarën.

Kreu i LVV-së ka theksuar se 14 shkurti do të jetë referendum që do të ju mundësojë qytetarëve që të zgjedhin mes koniukturave të vjetrave dhe politikanëve të një epoke të re

Kështu ka shkruar ai në facebook, derisa ka njoftuar se mbrëmë ka marrë pjesë në diskutimin e organizuar nga institutit Ëilson Center.

“Aty theksova që 14 shkurti do të jetë referendum, i cili do t’ua mundësojë qytetarëve të zgjedhin mes koniukturave të vjetra dhe politikanëve të një epoke të re, për t’u përballur me krizat e shumëfishta të cilat po e rëndojnë gjendjen e qytetarëve. Përmirësimi i situatës socio-ekonomike të vendit është i mundur vetëm nëpërmjet zhvillimit ekonomik, që varet edhe nga investimet e jashtme direkte, me theks tek ato nga diaspora e vendit tonë. Në 20 vitet e fundit, këto investime u pamundësuan nga korrupsioni i lartë e krimi i organizuar i elitës së vjetër. Prandaj, reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit janë parakushte për zhvillimin ekonomik”, ka shkruar ai.

Ai në këtë diskutim ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, derisa ka theksuar se ky proces nuk duhet të ndërtohet mbi harta.

“Me qindra pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje, përgjithësisht ekspertë ndërkombëtar, ishin të interesuar të njihen me qëndrimet tona në lidhje me raportet me vendet e rajonit, në veçanti për dialogun me Serbinë. Thashë se dialogu duhet të jetë një proces i cili bazohet në përmbajtjen e marrëveshjes, e jo në ngutinë për ta arritur atë. Dialogu nuk duhet të ndërtohet mbi harta dhe mbi harta nuk duhet të ketë presidentë rrotull si në të kaluarën. Parakusht për normalizimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë normalizimi i vetë vendeve nëpërmjet këtij procesi. Serbia nuk është një vend demokratik, ajo refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, prandaj ky proces dialogues i ndërmjetësuar nga BE dhe ShBA, së pari do të duhej ta normalizonte Serbinë”, ka shtuar Kurti.

Veç tjerash përmes këtij shkrimi ai ka theksuar se synim përfundimtar i këtij procesi do të duhej të ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe jo kompensimi i Serbisë për humbjet që i pësoi regjimi gjenocidal i Milosheviqit në vitet e ’90-ta.

Ai ka përmendur edhe procesin e integrimit, derisa ka thënë se duhet të përshpejtohet me një bashkëpunim më intensiv të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit që duhet avancuar nga një “Plan Marshal” për Ballkanin Perëndimor. E që sipas tij do të ndihmonte në demokratizimin e vendeve, zhvillimin e ekonomive të tyre dhe bashkimin e qyteteve të ndara, të cilat mbesin si plagë të hapura në disa vende të Ballkanit