Lidhja Demokratike e Kosovës pret që edhe administrata e re amerikane të vazhdojë me Marrëveshjen e Washingtonit, të nënshkruar në shtator, në Shtëpinë e Bardhë nën administratën e ish-presidentit Donald Trump.
Sekretari i kësaj partie, Arban Abrashi, e ka cilësuar lajm të mirë qëndrimin e administratës së Bidenit për marrëveshjen e 4 shtatorit duke shtuar se “pikërisht për këtë duhet të fitojë LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit”.
Abrashi ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është në fokus të programit ekonomik të LDK-së.
“LDK-ja i nevojitet vendit që të vazhdojë këtë marrëveshje edhe e mira e gjithë saj është që edhe administrata e re në SHBA tani më ka bërë të qartë dhe ka dhënë sinjale që është bërë një punë e mirë me këtë marrëveshje e cila duhet të vazhdojë e cila gjithsesi paraqet një prej shtyllave të programit tonë ekonomik, sepse po flasim për qindra miliona euro dhe mijëra vende të reja të punës përmes investimeve amerikane dhe këtë punë mund ta garantojë LDK-ja, sepse edhe e ka nënshkruar këtë marrëveshje.
Edhe gjatë zgjedhjeve në SHBA kemi pa sinjale të vazhdueshme, qoftë nga Washingtoni, por qoftë edhe nga ambasada këtu se marrëveshja si e tillë do të vazhdojë. Realisht deklarimi i kësaj jave zyrtarit më të lartë të SHBA-së se kjo marrëveshje do të vazhdojë dhe është bërë mirë për Kosovën dhe rajonin, na jep një kurajë më të madhe që të dalim të kërkojmë votën dhe të punojmë më shumë për shtetin tonë”, ka thënë ai për EO.