Lumezi: Jemi Të vendosur të përballemi me çdo formë të krimit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se edhe përkundër sfidave që kanë pasur vitin e kaluar janë të vendosur që të përballen me çdo formë të krimit.

Madje sipas tij, në këtë rrugë nuk do të mund t’i ndalë askush, ngase siç thotë ai ky është interes i shtetit.

Lumezi në konferencën vjetore të prokurorëve, shtoi se është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e rasteve.

“Gjatë vitit që e lamë pas, ne kemi qenë unikë, duke treguar forcën tonë që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit, si dhe kemi dëshmuar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit”.

“Shoqëria me të drejtë është duke pritur nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridike-shoqërore”, tha ai, raporton EO.

“Prandaj është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve. Për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë, kemi nevojë për njerëz profesionistë, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial”.