Orlando deklarohet rreth kandidatëve me aktakuza: Certifikimi të bëhet sipas ligjit dhe pa ndërhyrje

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando nëpërmjet një postimi në Twitter ka folur rreth pritshmërive të shtetit që ai përfaqëson dhe të Bashkimit Evropian në përgjithësi lidhur me zgjedhjet në Kosovë.

Orlando ka shkruar se Italia dhe BE-ja presin që institucionet e Kosovës të sigurojnë zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, shkruan lajmi.net.

Orlando është shprehur se certifikimi i kandidatëve duhet të bëhet sipas ligjit dhe pa ndërhyrje.

Ky është postimi i tij i plotë:

Italia së bashku me BE-në pret që institucionet e Kosovës të sigurojnë zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Procedurat parazgjedhore sikurse certifikimi i kandidatëve janë duke vazhduar dhe lejojnë ankesat. Ato duhet të kryhen sipas ligjit dhe pa ndërhyrje.