Daka thotë se po kërcënohet publikisht: Kandidimin ua pamundëson ligji, jo unë

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka mbajtur një konferencë për media pas akuzave që ajo mori për mos-certifikimin e disa kandidatëve për deputetë të cilët kanë probleme me ligjin, e në mesin e tyre edhe kreun e VV-së, Albin Kurtin.

Daka para mediave tha se familja e saj po përjeton kërcënime, dhe të njëjtat janë të paprecedenta, shkruan lajmi.net.

“Nuk do të kisha dashtur të mbajë konferencë për media që të mbrojë punën time, dhe as sot nuk do të bëj këtë. Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se KQZ është duke punuar maksimalisht që të kryej detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore. Angazhimi im dhe rezultati i KQZ-së . Akuzat e partive politike në adresën time dhe KQZ-së janë ndërhyrje në punën e institucionit. Kërcënimet publike dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime janë të paprecedentë”, tha Daka.

Ajo pati një porosi për ata që e kanë parë emrin e tyre në listat e KGJK-së.

“Të gjithë ata që kanë parë emrin e tyre në listën e KGJK-së, dua t’i them që është ligji që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë. Unë s’e kam shkruar as germën Q të këtij ligji”, ka thënë Daka.

Daka ka shtuar se kushdo që ka mendime se po i bëhet e padrejtë me mos-certifikim, mund të ankohet në Supreme dhe PZAP.

“Çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, mund të ankohet në PZAP apo në Supreme. Unë zotohem se do t’i zbatojë germë për germë ligjet. Partive u pëlqejnë vendimet e herë jo, por ato janë të bazuara në ligjin për zgjedhje”, ka thënë ajo.

Daka po ashtu ka thënë se betimin e saj do ta çojë deri në fund, ani pse si grua është shumë e ekspozuar ndaj rreziqeve.

“Partitë politike s’e kanë marrë asnjë vendim për ndryshimin e ligjit. Unë nuk marrë vendime në emër të KQZ-së, sepse institucioni është organ kolegjial. Unë jam në detyrën e kryetares së KQZ-së në betim, dhe do ta çoj deri në fund. Është bërë e lehtë për burrat e politikës që ta sulmojnë një grua dhe një nënë, sepse ajo nuk mbështetet nga asnjë parti politike”, ka thënë ajo. /Lajmi.net/