Ekperti ligjor i VV-së: S’ka kush që ia ndalon Kurtit kandidimin

Blerim Sallahu, ekspert ligjor i Lëvizjes Vetëvendosjes në emisionin “Imazh” të RTK-së ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka shpërfaqur dështimin e Qeverisë Hoti që t’i bëjë 61 numra për të qenë qeveri legjitime.

Sipas tij, ky aktgjykim e përkufizon si dështak Hotin.

“Ata e kanë ditur që një votë është e kontestuar dhe kanë procedurar për zgjedhjen e qeverisë jolegjitime dhe mbi këtë Kushtetuesja e ka vendosur Hotin si qeveri jolegjitime”, ka thënë Sallahu.

Duke folur për pamundësinë e kandidimit të kryetarit të VV-së, Albin Kurti sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Sallahu ka thënë se sistemi juridik i Kosovës nuk mund të copëzohet.

“Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu janë dënuar me një kod të vjetër penal. Dhe aty përcaktohet se nuk ka asnjë pengesë dhe atë mund të jenë pjesë e listës, sepse nuk kanë pasoja jurdike dhe nuk iu ndalohet kandidohet. Me kodin e vjetër penal nuk ka ndonjë pengesë që ua ndalon pjesëmarrjen në zgjedhje atyre”, ka thënë Sallahu.

Ai ka thënë se s’mund të ketë pasoja jurdike dhe dënimi nuk mund të prodhojë pasoja tash me kodin e vjetër.

“Nuk mund të ketë pasoja të reja sipas kodit të vjetër penal. Nuk mund t’ia marrësh të drejtën dikujt për kandidim pa e kryer një vepër të re penale. Nuk ka formulë tjetër, sepse Kurti do të jetë bartës i listës dhe KQZ-ja duhet të certifikojë atë si kandidat për deputet”, ka thënë Sallahu.

I pyetur se nëse KQZ-ja nuk e certifikon Kurtin dhe Haxhiun si kandidat për deputet, Sallahu ka thënë se ata do të bëjnë ankesë në PZAP, pastaj në Supreme e deri në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne do të ankohemi në PZAP dhe nëse edhe PZAP kthen përgjigje negative, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatë Supreme e deri tek Gjykata Kushtetuese, sepse është e drejt themelore që askujt mos t’i mohohet asnjë e drejt e kandidimit. Kjo, sepse kur janë dënuar nuk kanë pasur asnjë ndalesë”, ka thënë Sallahu.

Sipas tij, askush nuk mund t’ia ndalon Kurtit të bëhet deputet e më pas edhe kryeministër.

Ai ka thënë se nëse KQZ-ja nuk e certifikon Kurti si kandidat dhe bartës i listës, atëherë e shkelë Kushtetutën. /RTKLive/