Osmani për vaksinat në Veri: Kjo është shkelje flagrante ndaj marrëveshjeve në BE

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani në vizitën që kishte në Klinikën Infektive ka komentuar vaksinimin për COVID-19 ndaj qytetarëve në Veri të Kosovës nga ana e Serbisë.

Osmani ka thënë se është njoftuar nga institucionet e drejtësisë që kanë nisur hetimet rreth këtij rasti.

Presidentja në detyrë, ka theksuar se kjo përveç që është një shkelje flagrante e marrëveshjeve që janë nënshkruar në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, kjo sipas saj dëshmon edhe se Serbia në atë proces është vetëm nënshkruese por kurrë zbatuese e premtimeve që i jep.

“Ne jemi njoftuar që institucionet e drejtësisë janë duke e hetuar rastin. Kjo jo vetëm që është shkelje flagrante e marrëveshjeve që janë nënshkruar në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë përgjatë procesit të dialogut që ka zgjatur me vite të tëra, dhe e dëshmon se Serbia në atë proces është vetëm nënshkruese por kurrë zbatuese e premtimeve që i jep”, tha Osmani.

Ajo tha edhe se nisja e vaksinimit antiCOVID-19 tregon edhe një mungesë përgatitje nga institucionet e Kosovës.

“Por në anën tjetër tregon edhe një mungesë përgatitje nga institucionet tona në mënyrë që të gjithë qytetarët, përfshirë veriun e vendit të njoftohen se kur duhet t’i presin ata vaksinat nga institucionet shtetërore të Kosovës. Përderisa mungon një informatë e tillë dhe një bashkërendim i tillë natyrisht që Serbia e shfrytëzon çdo hapësirë dhe çdo vakum të tillë për të destabilizuar vendin. Sepse ata edhe kur e përdorin këtë si argument kinse për mbrojtje të qytetarëve ne fakt po e shfrytëzojnë për destabilizim të situatës, të sigurisë por edhe politik qe pastaj mund të ketë pasoja me të mëdha. Natyrisht që hetimet duhet të bëhen, personat që e kanë kryer krejt ketë proces në mënyrë ilegale duhet të përgjigjen, mirëpo duhet një politikë shumë me proaktive e institucioneve tona, e qeverisë sonë e jo vetëm të jenë reaktiv ndaj asaj çfarë ndërmerr Serbia. Duhet një bashkëpunim me të gjitha komunat e vendit përfshirë komunat në veri në mënyrë qe institucionet tona të zgjedhura të informojnë secilin qytetar se si do të realizohet procesi i vaksinimit”, tha Osmani lidhur me vaksinimin në veri të Kosovës”, tha Osmani.