Buxheti i rënduar i familjeve në pandemi

Për familjen e Fitore Muratit, 37 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, ishte e vështirë që ta mbyllnin muajin, pasi gjatë kohës kur në Kosovë ishin në fuqi masa të ashpra të izolimit, burri i saj u pezullua nga puna.

Të ardhurat mujore në këtë familje para pandemisë ishin 400 euro, por me largimin e bashkëshortit nga puna, ata mbetën edhe pa to.

Pas disa muajsh pa punë, bashkëshortin, thotë Fitorja, e kthyen në punë, por jo me pagë të njëjtë, mirëpo 100 euro më pak.

Kjo e rëndoi edhe më shumë jetën e kësaj familje.

“Në familjen tonë punon vetëm burri, të ardhura tjera nuk kemi edhe atij gjatë pandemisë ia kanë zvogëluar pagën. Pandemia na ka prekur të gjithëve, janë zvogëluar të ardhurat në familjen tonë. Pa punë dhe izolim në të njëjtën kohë”, thotë ajo.

Pasi të ardhurat në familjen Murati u zvogëluan, Fitorja thotë që u detyrua të kërkojë punë si ndihmëse shtëpiake.

“Edhe unë jam interesuar për punë, por pandemia mbylli të gjitha, nuk ka punë. Punoj herë pas here, jo rregullisht”, thotë ajo.

Fëmijët e Fitores, dy të moshës 15 dhe 16 vjeç dhe një i moshës 8 vjeç, nuk arrijnë t’i kenë të gjitha gjërat e nevojshme apo gjërat të cilat arrinin t’i kishin para pandemisë.

“Shpenzimet u rritën në pandemi, pagat u zvogëluan nuk e di se si ia dalim me këto para”, shton ajo.

Nga 800 euro të hyra mujore, në 400

Me një problem të ngjashëm u përball edhe familja 5-anëtarëshe Selimaj.

Para pandemisë gjithçka ishte mirë, thotë Agimi, kryefamiljar. Të hyrat mujore në familje ishin 800 euro pasi që punonin dy anëtarë të kësaj familjeje.

Por, qysh në mars, kur qeveria vendosi masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ata mbetën pa punë dhe u rikthyen në vendet e tyre të punës vetëm pas tre muajve.

Gjatë kësaj kohe, ata morën vetëm nga 170 euro dhe asgjë më shumë.

“Unë dhe djali u kthyem në punë, por jo me pagat që i kemi pasur, dy herë më pak, pra nga 200 euro në muaj, nga 400 sa i kemi pasur. Puna e njëjtë e para më pak, s’e di qysh do të kalojë kjo”, thotë ai.

Kjo e rëndoi buxhetin e familjes së tyre dhe gjithçka u reduktua. Shumë gjëra, thotë ai, që i kishin blerë para pandemisë, tashmë nuk arrijnë, pasi që buxheti familjar u varfërua për 400 euro në muaj.

“Po të them që gjithçka ka ndryshuar, jemi krejt ndryshe sot krahasuar me para një viti. Kemi pasur kushte të mira, çfarë kam dashur kam blerë, tani jo, duhet t’i ruaj paratë se nuk dalin deri në fund të muajit”, thotë ai.

“Gjithçka ndryshoi për ne, por lutemi të jemi shëndosh dhe të kalojë kjo pandemi sa më shpejt”, shton ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nëse krahasohen çmimet e muajit nëntor 2020 me muajin nëntor të vitit të kaluar, thuhet se në përgjithësi çmimet e konsumit kanë pësuar rënie prej -0.3 për qind.

Rënie të çmimeve ka pasur në produktet si pemët, veshjet, blerje të automjeteve, përdorimi i pajisjeve për transport personal, e të tjera.

Por, rritje të çmimeve ka pasur në produktet e përditshme si buka dhe drithërat, mishi, qumështi, djathi dhe vezët, vajrat dhe yndyrnat, perimet e tjera.

Pa të dhëna për buxhetet familjare

Institucionet në Kosovë nuk kanë publikuar ende të dhëna të sakta se sa janë prekur buxhetet familjare. Po ashtu, nuk ka të dhëna zyrtare edhe sa është numri i qytetarëve që u larguan nga puna gjatë pandemisë.

Të dhëna të përafërta japin shoqatat ekonomike.

Oda Ekonomike e Kosovës në bazë të një studimi ka thënë se janë rreth 30 mijë vende pune të humbura gjatë pandemisë, ndërkaq Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat flet për një numër deri në 100 mijë.

Por, të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Kryqit të Kuq të Kosovës tregojnë se numri i familjeve, të cilat hyjnë në kategorinë e familjeve të varfra është rritur gjatë kohës së pandemisë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, gjatë pandemisë numrit të familjeve me asistencë sociale 24.229 i janë shtuar edhe më shumë se 550 familje.

Shuma e mjeteve që këto familje marrin nga Qeveria e Kosovës, është prej 50 deri në 150 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Rritet numri i familjeve të varfra

Ndërkaq, numrit prej 14 mijë familjeve të varfra të evidentuara sipas të dhënave të Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë pandemisë i janë shtuar edhe shumë të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare, Bruto Prodhimi Vendor (BPV) për vitin 2019 ishte më shumë se 7.1 miliardë euro, kurse BPV-ja për kokë banori ka qenë 3,566 euro, përderisa rritja reale ekonomike ka qenë 4.2 për qind.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka bërë të ditur se si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 do të shënojë rënie deri në 7.2 për qind.