Pavarësisht zhvillimeve të fundit politike, Qeveria në detyrë e Kosovës do të vazhdojë ndihmën për gratë në biznes.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë një vizite që zhvilloi të hënën, në një kompanie prodhuese të udhëhequr nga gratë, në fshatin Krushë e Madhe, afër Rahovecit.
“Ne do të vazhdojmë me zbatimin e pakos së rimëkëmbjes politike duke i mbështetur gratë në biznes. Pjesën e parë e kemi mbyllur me mbështetjen e mbi 100 çerdheve private që punësojnë gra dhe udhëhiqen nga gratë. Në pjesën e dytë do të mbështesim direkt gratë që janë të përfshira në biznes si pronare ose të punësuara”, tha Hoti.
Ndërsa, Fahrije Hoti, nga kooperativa “Krusha”, tha se pandemia ka krijuar vështirësi për biznesin që ajo udhëheq.
“Për shkak të pandemisë kemi pas vështirësi, por shpresojmë ta kalojmë me sukses. Gratë e Krushës janë një shembull i mirë i gjithë Kosovës që me punën dhe përkushtimin dhe vullnetin ndaj familjes dhe fëmijëve, ato kanë siguruar një vend pune dhe vazhdojnë me punë”, tha Hoti.
Fshati Krushë e Madhe ka qenë njëri ndër vendbanimet më të goditura nga lufta në Kosovë më 1998-99.
Masakra në fshatin Krushë e Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë.
Aksioni i forcave policore e ushtarake serbe në këtë fshat nisi më 25 dhe zgjati deri më 27 mars të vitit 1999.
Në këtë masakër u vranë 241 qytetarë, nga ta shtatë fëmijë, pesë gra (njëra shtatzënë) dhe kanë mbijetuar 25 të plagosur rëndë.
Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe 64 persona nga ky fshat.
Në Kooperativën “Krusha” punojnë kryesisht gra të veja, burrat e të cilave janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.