Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka kthyer në zyre të partisë së saj Zyrën e Presidentit gjatë ditës së djeshme. Ajo është takuar me disa asamblistë ku zyrtarisht kanë aderuar në iniciativën e saj dhe kanë lënë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), shkruan Gazeta Metro.
Vjosa pothuajse e ka zyrtarizuar ndarjen prej LDK’së. Ajo do të duhet t’i shpallë zgjedhjet brenda pak ditësh, ndërsa ato mund të mbahen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit
Osmani edhe vetë do të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndërsa ka thënë se do të garojë me një iniciativë të sajën. Kësaj iniciative të enjten i janë bashkuar gjashtë asamblistë të LDK’së në Ferizaj. Ata, ndoshta në mungesë të një zyre partiake, Osmani i ka pritur në zyrën e saj në Presidencë.
Një veprim i Vjosa Osmanit është kritikuar shumë nga figura të njohura politike, opinionistë e gazetar.
Filozofi dhe analisti Blerim Latifi, ka shkruar në Facebook se shndërrimi i zyrës më të lartë të shtetit në zyrë partiake, tregon se Vjosa Osmani është e njëjtë si politikanët e vjetër.
“Shndërrimi i zyrës më të lartë të shtetit në zyrë partiake, na tregon se të ashtuquajturit “politikanë të rinjë” do të jenë njësoj si “të vjetërit”, mbase edhe më të paskrupullt”, ka shkruar ai.
Kritika për Osmanin dhe shoqërinë civile për mos reagim, ka pasur edhe drejtuesi i emisionit satirik “Zëri i Amelikës”, Shkodran Hoti.
Ai ka thënë se po të bënte ish-presidenti Thaçi diçka të tillë, shoqëria civile do të bënte sallta.
“Me pasë shfrytëzu Thaçi Presidencën në këtë mënyrë, disa partizanë të institucionalizmit nga shoqëria civile do e bënin sallatë me kritika. Sot heshtin! Dhe a e dini pse? Sepse janë hipokritë e servilë të përjetshëm”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndryshe dje fotografia e takimit partiak në zyrë u bë publike nga asambleistja Hysnije Mustafa-Shamolli.
“Aty ku është konsistenca, mbajtja e fjalës dhe interesi i Kosovës jemi edhe ne. Me presidenten Vjosa Osmani. Me Kosovën!”, ka shkruar dje asamblistja Hysnije Mustafa-Shamolli.
Vjosa Osmani ka të drejtë të foromojë parti dhe të merret me çështje partiake, por vetëm në saje të asaj se është ushtruese e detyrës së presidentit. Megjithatë, Zyra e Presidentit duhet të jetë institucion unifikues dhe nuk mund ta ushtrojë funksionin e mbledhjeve partiake.