Kur pritet të marrin pagat mësimdhënësit që po bëjnë zëvendësime?

Në Komunën e Malishevës janë disa mësimdhënës të cilët tash e dy muaj nuk kanë marrë paga për zëvendësimet që i kanë bërë, por një gjë e tillë po kundërshtohet nga udhëheqësit komunal.

Një mësimdhënës nga Komuna e Malishevës, ka bërë të ditur për lajmi.net, se mësimdhënës që po bëjnë zëvendësime nuk janë në listë të pagave tash e dy muaj.

Nga drejtoria e Arsimit dhe Edukimit në Komunën e Malishevës kanë thënë se janë pesë mesimdhënës të rekrutuar, të cilët janë duke bërë zëvendësime për mësimdhënësit të cilët kanë sëmundje të rënda, që janë në dializë apo që janë me kancer.

Drejtori i kësaj drejtorie, Bleri Thaçi, i tha lajmi.net se për të gjithë mësimdhënësit që kanë qenë të prekur me koronavirus, zëvendësimi është bërë nga kolegët e tyre dhe se për orët shtesë ata do të paguhen mirëpo që akoma nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Ai ka thënë se për pagesën e këtyre mësimdhënësve për orët shtesë nga Ministria e Financave.

“Në kuadër të Ministrisë së Arsimit që është nxjerr masterplani për mësimdhënësit që janë me COVID-19 dhe mësimdhënësit që janë me sëmundje kronike sepse kemi natyra të ndryshme, kemi mësimdhënës në dializë, me sëmundje të kancerit. Prej tyre shtatë janë të cilët që dy muaj e gjysmë prej që ka dalë masterplani që është aprovuar prej qeverisë të zëvendësohen nga mësimdhënësit e rekrutuar nga listat e konkurseve që kanë qenë të shpallura në DKA. Ndërsa prej të prekurve me COVID-19, zëvendësimet janë bërë brenda për brenda kolektivit, do me thënë janë mbi ngarkuar ose qoftë janë plotësuar me norma për periudhën 2 javë apo tri, qoftë janë plotësuar me mbinormë. Do më thënë paguhen prej masterplanit dhe fondi është i veçantë edhe i kemi dërguar listat në Ministri të Financave dhe pritet që në këtë muaj të dhjetorit të paguhen për punën shtesë ata mësimdhënës që kanë zëvendësuar në kohën sa kanë qenë në pandemia.

Thaçi ka treguar se si qëndron gjendja me koronavirus e mësimdhënësve në shollat e Malishevës.

“Për momentin 30 i kemi pozitivë, 24 janë shëruar dhe 20 janë në vetizolim për shkak se kanë qenë të infektuar familjarët e tyre. Do me thënë 74 mësimdhënës në periudhën 12 mars e deri më sot kanë qenë të prekur dhe janë zëvendësuar nga kolegët, duke përjashtuar shtatë mësimdhënësit që janë në shtëpi për shkak të natyrës dhe shëndetit të rëndë dhe të mos rrezikohen. Do me thënë pjesa e këtyre që mbulohen prej fondit të masterplanit i kemi përgatitur të gjitha lëndët dhe janë në pritje të pagesave. Asnjë mësimdhënës tjetër nuk është jashtë listës së pagave.”

Mes tjerash thotë se MF-ja i ka kërkuar listën e mësimdhënësve që janë zëvendësime dhe shumë shpejt priten të ekzekutohen mjetet.

“Nga Ministria e Financave na kanë kërkuar lëndët dhe listat ne i kemi dorëzuar të gjitha dhe jemi në pritje që të ekzekutojnë mjetet. Pra është fjala për pesë zëvendësime nga shtatë që i kemi me sëmundje të rënda. Pesë janë zëvendësua me mësimdhënës të ri dhe dy janë mbuluar me mësimdhënës brenda shkollës. Të tjerët mësimdhënës janë ngarkuar me mbinormë për periudhat e shkurta prej dy javë deri në 21 ditë, varësisht prej simptomave që i kanë pasur dhe kur janë shëruar dhe kur kanë dalë prej vetizolimit”, ka sqaruar Thaçi për lajmi.net.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se asnjë shkollë në Malishevë nuk ka punuar online, në përjashtim të një shkolle e cila vetëm dy ditë ka punuar online.

“Unë do t’ju thosha që shumë më lajm do të ishte për juve që të thoni se Malisheva nuk e ka asnjë ditë të humbur dhe nuk e ka asnjë ditë mësim online, e vetmja komunë që ka mbajtur prej 14 shtatorit pjesën më të madhe të mësimit dhe me shkollat e mesme prej 21 shtatorit pa e ndërprerë procesin mësimor”, ka thënë Thaçi.

Lajmi.net, ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave lidhur me këtë problematikë që po përballen mësimdhënësit që janë zëvendësim dhe po pret përgjigje.