Shoqata e Bankave deklarohet lidhur me tërheqjen e 10 për qindëshit të Trustit

Shoqata e Bankave të Kosovës iu ka bërë thirrje të gjithë përfituesve që kanë aplikuar për tërheqjen e 10 për qindëshit të Trustit që pas njoftimit për transferimin e mjeteve në llogaritë e tyre të shfrytëzojnë instrumentet elektronike si e-banking dhe kartelat bankare për të kryer blerje.

Kjo për shkak të mos krijimit të tollovisë për arsye të situatës së vështirë me pandeminë.

“Megjithatë, për rastet kur është e domosdoshme tërheqja fizike e parave të gatshme lusim qytetarët që të përdorin rrjetin e bankomatëve të bankave, i cili është i shtrirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të jetë në dispozicion me kapacitetet të plota. Në këtë formë do të shmangen pritje në radhë të gjata brenda degëve të bankave duke parandaluar shpërndarjen e COVID-19 dhe pritjeve të panevojshme në radhë.”, thuhet në njoftimin e SHBK-së.

Ky është njoftimi i plotë:

Duke marrë parasysh numrin e madh të kërkesave të qytetarëve për tërheqje të 10% të mjeteve nga Trusti, si dhe situatën e pandemisë në vend, Shoqata e Bankave të Kosovës iu bën thirrje të gjithë përfituesve që kanë aplikuar për të tërhequr 10% të mjeteve nga Trusti, që pas njoftimit për transferimin e mjeteve në xhirollogaritë e tyre të shfrytëzojnë sa më shumë instrumentet elektronike si shërbimi ‘e-banking’ dhe kartelat bankare për të kryer blerje dhe pagesa. Pagesat përmes instrumenteve elektronike janë më të lira, më efikase dhe më të sigurta për qytetarët.

Megjithatë, për rastet kur është e domosdoshme tërheqja fizike e parave të gatshme lusim qytetarët që të përdorin rrjetin e bankomatëve të bankave, i cili është i shtrirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të jetë në dispozicion me kapacitetet të plota. Në këtë formë do të shmangen pritje në radhë të gjata brenda degëve të bankave duke parandaluar shpërndarjen e COVID-19 dhe pritjeve të panevojshme në radhë.

Sektori bankar gjatë gjithë kësaj kohe do të vazhdojë të ofrojë të gjitha shërbimet financiare me kapacitet të plotë për të gjithë klientët bankar duke ofruar shërbimet në mënyrë sa më të lehtë, të shpejtë dhe të sigurte.