Deklaroi se minishengeni i shërben më shumë Serbisë, Vjosa Osmani: Ia thashë edhe Ramës

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, nuk e kishte ndryshuar qëndrimin e saj se minishengeni i shërben më shumë Serbisë.

Gjatë një interviste me Euronews, Osmani theksoi se nuk kishte probleme me Ramën dhe se mbante qëndrimin zyrtar të Kosovës.

“[Për minishengenin] Unë i thashë [Edi Ramës] të gjitha ato që i kam thënë çdo herë publikisht, kam pasur edhe më ë takime të mëhershme me liderët shqiptarë në lidhje me këtë temë dhe e përmenda edhe në konferencën për shtyp, në mënyrë që një iniciativë rajonale të ketë suksese duhet të plotësojë parimin themelor të gjithë përfshirjes, pra të iniciohet nga të gjitha vendet, pra nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e jo të iniciohet nga Shqipëria, Serbia e deri diku nga një ndihmë diku të Maqedonisë së Veriut pa konsultim paraprak të Kosovës,” – u shpreh Osmani.

Presidentja në detyrë, njëherësh kryetar e Kuvendit kujtoi se përpara saj edhe udhëheqës të tjerë të Kosovës kanë deklaruar mungesën e konsultimit paraprak për minishengenin.

“Pra kam çdo të drejtë, madje e kam dhe detyrë si përfaqësuese e Kosovës, që të kërkoj detaje për këtë iniciativë që të tregoj se ku janë mospajtimet tona, sepse nuk ne mund thjesht të pajtohemi se pse filloi nëse nuk bindemi që është edhe në interesin tonë, prandaj kërkojmë gjithë-përfshirje e që për gjithçka të konsultohet dhe pajtohet me Kosovën dhe që nga ana tjetër të shihen edhe marrëveshjet e tjera rajonale,” – u shpreh Osmani.

Më tej kryetarja e shtetit të Kosovës kujtoi se Serbia ka shkelur disa herë marrëveshje rajonale për sa i përket Kosovës dhe kjo e bën mosbesuese se tanimë me këtë iniciativë të re me minishengenin Serbia do t’i respektojë ato.

Gazetarja Tare i kujtoi Osmanit se Serbia pati së fundmi besimin e SHBA-së për marrëveshjet me Kosovën, mirëpo Osmani tha se për minishengenin është ndryshe pasi nuk ka detaje dhe informacione të plota.