Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar sot QKUK-në, saktësisht Klinikën e Onkologjisë.
Në Klinikën e Onkologjisë sot u bë përurimi i Shërbimit të Brahiterapisë, meqë rast ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se interesimi dhe angazhimi i tij për avancimin e shërbimeve shëndetësore krahas edhe menaxhimit të pandemisë është në fokus të veçantë, onkologjia mbi të gjitha.
“Këtu marrin shërbime më shumë se 150 persona në ditë dhe çdo ditë me ritmin e njëjtë dinamikën e njëjtë, duke ofruar shërbime profesionale të njëjta.Edhe kjo aparaturë, sot ky shërbim që do të fillojë është në interes të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve sidomos femrave, një projekt i munguar, por që mungon edhe në shumë vende të rajonit. Mendoj se është e mirë për ne, për qytetarët dhe profesionistët që punojnë e t’u ofrojnë shërbimin e duhur pacientëve”, tha Zemaj, shkruan lajmi.net.
Zemaj shtoi gjithashtu se edhe këtë fundvit,por edhe vitin e ardhshëm do të avancohen edhe shërbime të tjera, të radioterapisë, si dhe të funksionalizohet edhe ky shërbim.
“Lus qytetarët të afrohen të marrin këto shërbime dhe të mos kërkojnë tash e tutje shërbime jashtë vendit, besoj edhe në aspektin moral dhe human është diçka e mirë për Kosovën dhe qytetarët tanë”, shtoi ai.