Kryeministri i Kosovë, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth arrestimit të dy kosovarëve nga policia serbe.
Policia kufitare e Serbisë ka arrestuar dje dy qytetarë të Kosovës, nën arsyetimin se e kanë kaluar ilegalisht kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Njërit prej tyre i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe njëri është liruar.
Për asamblistin e PSD-së, Blerim Maqastena, ndërkaq, po raportohet se gjatë arrestimit ai ka poseduar armë.
Lidhur me këtë çështje është deklaruar sot edhe kryeministri Avdullah Hoti.
Ai ka thënë që Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është duke punuar për zbardhjen e kësaj ngjarje.
“Është me rëndësi të mos bëhen përgjithësime sa herë të ndodhin gjëra të tillë. Jemi marr me atë çështje. Për këtë të fundit Zyra jonë ndërlidhëse në Beograd i ka ndjekur procedurat dhe i ka dërguar informacionet për dy qytetarët e Kosovës që janë arrestuar gjoja në pjesën serbe dhe besoj që shumë shpejt do të kemi informata më të detajuara. Jemi duke i ndjekur rrugët tona zyrtare përmes Zyrës ndërlidhëse në bashkëpunim edhe me partnerët tanë”, ka deklaruar ai.