Edhe pas 21 vjetësh ka familje që i presin të gjallë personat e zhdukur në luftë

Disa familje në Kosovë që kanë të zhdukur familjar nga lufta e fundit, po refuzojnë të japin mostrat e gjakut për disa mbetje mortore që presin në Morgun e Prishtinës për t’u identifikuar me shpresën se ata mund të jenë gjallë diku.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ramë Manaj ka thënë se janë rreth 20 familje që kanë refuzuar të japin gjak në mënyrë që të identifikohen mbetjet mortore.

“Në përgjithësi unë mund ta përdor një shifër, diku rreth 20 familje nuk kanë dhënë ende gjak me shpresën se familjarët e tyre janë gjallë. Natyrisht pa dhënien e mostrave të gjakut praktikisht nuk mund të bëhet identifikimi, çështja e mbetjeve mortore në morg është një çështje mjaft specifike, në gjithë këto vite është një numër mbetjesh mortore aty”, ka thënë Manaj.

Manaj thotë se mbetjet mortore që po presin në Morgun e Prishtinës për t’u identifikuar nuk janë të gjitha nga lufta e fundit në Kosovë, sipas tij kjo është vërtetuar nga një raport i EULEX-it në vitin 2012.

“Në vitin 2009-2010 kemi bërë përpjekje që të ofrojmë gjithë pjesëmarrësit e kyçur në këtë proces dhe është kërkuar prej tyre të jepet një shpjegim profesional, një lloj ekspertize dhe pse nuk mund të identifikohen. Në vitin 2012 është bërë raporti nga EULEX-i dhe pjesëmarrësit e tjerë ndërkombëtarë, ne vendorët dhe IML-ja, ku është nxjerrë një raport në të cilin ka bërë një lloj klasifikimi jo numerik e sasior, në të cilin thotë se mbetjet mortore në morgun e Prishtinës nuk janë të luftës së fundit, një pjesë nuk ka mostra gjaku, një pjesë nuk ka mostra të mjaftueshme dhe janë tri-katër kategori”, thotë Manaj për Zeri.info.

Manaj i cili edhe vet ka familjarë të zhdukur i referohet shprehjes se “shpresa vdes e fundit”, por sipas tij mundësitë që ndonjë person i zhdukur të dal se është gjallë pas 21 viteve, janë të pakta.

“Shpresa vdes e fundit thotë populli dhe unë kam qenë vetë i tillë, deri në vitin 2010 kam pasur goxha shpresa, sepse kur bombardohesh prej dezinformatave dhe lajmin e mirë gjithkush dëshiron ta marrë pa e analizuar shumë si të mundshëm, të gjithë lutemi që dikush të dalë i gjallë, por personalisht them se shpresat janë të zbehta, të mos them se krejt të paqëndrueshme, është gjykim personal imi dhe dikujt prej familjarëve nuk i pëlqen kjo. Unë jam ballafaquar edhe me raste të tilla që thonë se nuk është mirë ta përcjell këtë, ndoshta edhe nuk është mirë, por si njeri, si familjar, si intelektual, duhet ta them të vërteten dhe ta pranoj me gjithë keqardhjen dhe dhimbjen e padiskutueshme për secilin”, ka thënë kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.