Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se nga të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, del se gjatë pandemisë së koronavirusit, në Kosovë janë rritur për 17 për qind rastet e dhunës në baza gjinore.
“Gjatë pandemisë COVID-19, Ministria e Drejtësisë ka parë një rritje prej 17 për qind të rasteve të raportuara të dhunës në baza gjinore në Kosovë, ku pjesa më e madhe e rasteve të rritura është në zonat urbane. Çdo grua, çdo vajzë, çdo person meriton një jetë pa dhunë”, tha ambasada e SHBA-së përmes një postimi në Twitter.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ambasada amerikane i bëri thirrje qeverisë dhe shoqërisë civile, që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur viktimat e dhunës.
“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, ju bëjmë thirrje të gjithë partnerëve në qeveri, në sektorin privat dhe në shoqërinë civile që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur më të prekurit dhe për të hetuar dhe gjykuar të gjitha incidentet”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Gjatë pandemisë së koronavirusit, Kosova dhe shumë vende të botës kanë raportuar për rritje të rasteve të dhunës në familje.
Sipas Policisë së Kosovës, që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin gusht janë paraqitur mbi 1,338 raste të dhunës ndaj grave, prej tyre katër raste kanë përfunduar me vdekje.