Hoti: Gjatë situatës pandemike janë shtyrë 60% e kredive bankare

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka vizituar sot Bankën Qendrore të Kosovës ku tha se kanë bashkërenduar të gjitha aktivitetet në të gjithë situatën e pandemisë COVID-19.

Ai tha se në veçanti vendimet konkrete të BQK-së, për shtyrje të pagesës së kredive, për rikonstruim të kredive u ka mundësuar 77 mijë kërkesave që të procedohen në mënyrë të rregullta, ku 60% të kredive janë shtyrë dhe programuar e që është lehtësim i madh për bizneset.

“Rritje të depozitave në 11% ku tregon se qytetarët dhe bizneset besojnë në qëndrueshmërinë e sistemit bankar në Kosovë. Është informatë e mirë se fondet pensionale po funksionojnë mirë. Ne sot diskutuam në detaje për bashkëpunimin e ngushtë që duhet të kemi si Qeveri me BQK-në, në masat e reja për rimëkëmbje ekonomike nga janari pasi është  qartë se do të përballemi përtej dhjetorit me këtë pandemi. Ne e mbështesim ekonominë e vendit me 5% të produktit vendor”, tha Hoti.

Ai tha se gati jemi në fundvit ku po përmbyllet një vit me stabilitet të mirë bankar në vend.