Zgjedhja e një kandidati për president të vendit duket të jetë vështirë e arritshme për koalicionin aktual qeverisës. Megjithëse LDK pret diskutim përtej partive në pushtet për të gjetur një zgjidhje, në Lëvizjen Vetëvendosje mohojnë kategorikisht përfshirjen, në atë që ata i quajnë, pazare për postin e kreut të shtetit. Ndërsa në PDK thonë se kjo temë është vetëm e koalicionit qeverisës dhe se nuk është diskutuar asnjëherë brenda partisë.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë për KosovPress se nëse ka një marrëveshje të gjerë për një zgjidhje të caktuar do të marrin vendimet e duhura, por thotë se “votë blanco” nuk japin për askënd.
“Kjo është çështje më gjithëpërfshirëse dhe duhet të diskutohet përtej koalicionit. Ky koalicion qeverisës e ka të pamundur të zgjidhë çështjen e presidentit dhe duhet një konsultim më i gjerë se konsultimin brenda koalicionit. […] Kjo nënkupton se duhet të ketë konsultime më të gjëra, përfshi Vetëvendosjen dhe PDK-në për të arritur një proces të suksesshëm në Kuvend. […] Nëse ka marrëveshje të gjerë për një zgjidhje të caktuar atëherë normal që ne do diskutojmë dhe do të marrim vendimet e duhura. […] Nuk mundet askush të japë ‘vota blanco’ për askënd”, thotë ai.
Por kundër çfarëdo lloj përfshirjeje për emërimin e një presidenti të ri, pa zgjedhje të reja, u shpreh deputetja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
“Nuk mundemi të përfshihemi në pazaret të cilat i sjellin vetëm dëme vendit. E dyta të cilat nuk kanë asnjë peshë apo relevancë për qytetarët në këtë moment. Në këtë moment për qytetarët është e rëndësishme t’i kthehet legjitimiteti një qeveri të re. Të ketë vendimmarrje të mirëfilltë për qytetarët dhe natyrisht legjislatura e radhës të vendosë për një kandidat apo kandidate konsensuale dhe që reflekton unitetin në vend dhe jo që synon, ashtu siç kemi parë deri tash, vazhdimin e politikës së pazareve prej postit të presidentit”, thotë ajo.
E deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se zgjidhja e një presidenti të ri për vendin nuk është temë brenda partisë dhe se asnjëherë nuk është diskutuar.
“Kjo nuk është temë brenda PDK-së. As nuk është diskutuar dhe as nuk është duke u diskutuar”, tha ai ditë më parë.
Ndërkaq, rol të rëndësishëm në votimin e një presidenti të ri, Arton Demhasaj nga shoqëria civile e sheh tek AAK-ja.
Sipas tij, nëse kjo e fundit nuk lëshon pe në kërkesën e tyre për kandidaturën e Ramush Haradinajt atëherë vendi shumë lehtë mund të shkojë në zgjedhje të reja.
“Duke marrë parasysh se çelësi i zgjidhjes së këtij problemi dhe krijimi i shumicës së nevojshme për t’u zgjedhur presidenti është tek AAK-ja atëherë me gjasë mund të ndodh që AAK-ja mos të lëshojë pe tek pozita e presidentit, pastaj do të lindë nevoja që PDK me LDK-në të gjejnë një zgjidhje që t’i japin më shumë hise PDK-së në qeveri në mënyrë që vendi mos të shkojë në zgjedhje. Të dyja janë të mundshme, por me gjasë për shkak të pozicionit të fortë që AAK-ja e ka në këtë moment dhe mund të mos lëshojnë pe”, thotë ai.
KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga AAK-ja për këtë çështje, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.
Më 4 nëntor, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i të parit të shtetit. Detyrën e kreut të shtetit po e ushtron kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.