“LIRIA KA EMËR” nis publikimin e rrëfimeve autentike të ushtarëve të UÇK-së, falënderon Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen
‘LIRIA KA EMËR” nga sot ka filluar me ciklin e transmetimit të video-materialeve, që janë rrëfime autentike të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët si 18-vjeçarë i ishin bashkuar luftës.
Këto video-materiale kanë synim sensibilizues për shoqërinë lidhur me luftën dhe paqen në Kosovë.
Kemi pasur nderin që intervistën e parë të këtij cikli, të ushtarit Kjani Guri nga Kaçaniku, ta shpërndajmë nëpërmjet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka pranuar me kënaqësi ta mbështesë në këtë formë të vërtetën e Kosovës.
Ditëve në vijim, “LIRIA KA EMËR” do të vazhdojë transmetimin e 15 video-materialeve të tilla, nëpërmjet personaliteteve të shquara shqiptare të jetës publike, artit, kulturës, muzikës, sportit, të cilët gjithashtu i falënderojmë shumë për gatishmërinë e tyre.
Këto video-materiale janë pjesë e punës dhe angazhimit të njerëzve që janë bashkuar rreth platformës “LIRIA KA EMËR” dhe si qëllim kanë sensibilizimin e shoqërisë dhe tentimin për të argumentuar edhe në forma të tjera, përveç debatit, gjenezën e lirisë në Kosovë dhe fundamentin e shtetit të Kosovës.
“LIRIA KA EMËR” është një platformë që synon argumentimin për tregimin e vlerave që ishin dhe duhet të jenë ideali i shoqërisë sonë dhe themeli i shtetit tonë, siç është Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të gjitha përpjekjet për liri të gjeneratave të tëra.
Kjo platformë tashmë ka filluar një fushatë sensibilzimi – që përfshin ekspozita, botime, filma dokumentarë për masakrat e kryera në Kosovë nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, si dhe rrëfime autentike të përjetimeve dhe vuajtjeve gjatë kohës së luftës në Kosovë.
“LIRIA KA EMËR” edhe një herë shfrytëzon rastin t’i ftojë afër vetës njerëzit të cilët kanë ide dhe mendojnë se mund t’i kontribuojnë qëllimeve të platformës në forma të ndryshme.